Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zymi: Në një debat publik të Komunës së Prishtinës morën pjesë vetëm 10 qytetarë

Aktivistja nga organizata joqeveritare ‘Qytetarët Aktiv’, Flutra Zymi, ka thënë që në një nga debatet publike me qytetarë të komunës së Prishtinës kanë qenë vetëm 10 qytetarë.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, në të cilin po diskutohet për planin zhvillimor komunal dhe hartë zonale, Zymi ka thënë se ka ngritur shqetësimin për mosinformimin e qytetarëve për projektet komunale.

“Debati për analizën e gjendjes ekzistuese, pra është një dokument me 176 fleta, kam marrë pjesë në atë debat. Në atë debat shqetësimi i parë ka qenë nëse jemi të regjistruar 195 qytetarë në Prishtinë e jo ndoshta edhe diku 100 mijë që nuk janë të regjistruar sepse migrojnë çdo ditë, në atë debat kanë qenë 10 qytetarë”, tha ajo.

“Unë nuk mujsha me besu që nuk po stopohet debati, që Komuna nuk po thotë që nuk kemi njerëz të mjaftueshëm”, shtoi ajo.

Madje, sipas saj, shumica e qytetarëve janë kyqur për të treguar problemet e tyre personale.

Florim Krasniqi nga sektori i planifikimit në Komunën e Prishtinës, tha që në debat ka pasur mjaftueshëm qytetarë.

“Nuk është e vërtetë që është mbajtur debati me 10 veta, të hartosh planin zhvillimor komunal nuk është në dëshirat e individit apo OJQ-ve, nuk i kam numrat me vete se sa por ka qenë një numër i mjaftueshëm për fazën që kemi qenë”, tha ai.