Zyberaj mohon se u premtuan 200 mijë euro për një njohje nga Behgjet Pacolli?

Javën e kaluar, në një intervistë për Jeta në Kosovë, një lobist nga Llapushniku i Drenasit, Bedri Emini, deklaroi se për një njohje të shtetësisë së Kosovës janë premtuar deri në 200 mijë euro nga kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli.

Por, këto pretendime të Bedri Eminit i ka mohuar shefi i kabinetit në MPJ, Jetlir Zyberaj.

“Kjo nuk është e vërtetë absolutisht, Kongo si shtet është i pasur shumë me diamante, një president i një shteti sikur Kongo nuk i kërkon 200 mijë euro, nuk kërkon fare para”, thotë Zyberaj.

“Neve na është thënë se për shkak të Rusisë, raporteve të tyre ne nuk mund të ju pranojmë si shtet”, deklaroi tutje ai.

Një javë më parë, lobisti Bedri Emini po ashtu tha se një delegacion afrikan nuk u pritën nga zyrtarët e Kosovës kur u votua për INTERPOL më 2018-tën.

“Unë me sa e mbaj në mend, z. Pacolli i ka takuar të gjithë zyrtarët që i ka pruar z. Emini”, tha Jetlir Zyberaj.

Ai është përgjigjur edhe ndaj pretendimeve të Eminit, i cili tha se Kosova nuk i kreu disa obligime ndaj disa zyrtarëve afrikan gjatë kohës kur votohej për anëtarësim në INTERPOL.

“Nuk kam njohuri për cilat obligime. Ato (obligime), i ka kapacitete Serbia po jo edhe Kosova. Kosova është e orientuar nga perëndimi, nuk i praktikon ato forma”, ka thënë ai duke iu përgjigjur kritikave të Bedri Eminit.

Këshilltari i Behgjet Pacollit ka mohuar edhe deklarimet e tjera të lobistit Bedri Emini, i cili tha se shteti i Gambisë ka dashur ta heq njohjen ndaj Kosovës.

“Dëgjom, për me e vërtetuar këtë, ministri i Punëve të jashtme të Gambisë ka qenë në Kosovë në tetor dhe është ndër ministrat që Kosova mban raporte dhe e ka mbështetës të fuqishëm sepse ky shtet do ta marr udhëheqjen e organizatës e bashkëpunimit islamik, ne kemi qenë në Gambi së bashku me Pacollin”, ka deklaruar Zyberaj.

“Ne, përvec Koresë Veriore dhe Iranit, secilit shtet të botës i dërgojmë urime”, tha ai.

Ai ka thënë se nuk dëshiron t’i komentoj më shumë pretendimet e lobisitit Bedri Emini.