Foto: MPJ

Zyberaj: AKR-ja s’ka biseduar me askënd për pjesëmarrje në Qeveri

Këshilltari i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj ka deklaruar se nga kjo parti nuk kanë biseduar me askënd për pjesëmarrje në qeverinë e re.

Zyrberaj përmes një reagimi në Facebook i ka demantuar raportimet në media vendore se AKR-ja ka kërkuar ndonjë pozitë ministrore.

“Lajmet nëpër disa media për kërkesa ministrore janë të pasakta. Ne nuk kemi biseduar asnjëherë me askënd për pjesmarrje në qeveri dhe ndarje resoresh qeveritare”, ka shkruar Zyberaj.

Në anën tjeëtër, sot është arritur marrëveshja për koalicion në mes LDK-së dhe AAK-së.

Kështu ka njoftuar i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.“Sot u takuam me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa dhe të nominuarin për kryeministër, Avdullah Hoti. Unë isha me të nominuarin tonë për zëvendëskryeministër, Besnik Tahiri. Pra sot është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje”, tha ai para gazetarëve.

LDK sot gjatë ditës pritet të nënshkruaj koalicion edhe me partitë e tjera parlamentare.

Ish-kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli dje u përfshi në një diskutim të gjatë në rrjetin social “Twitter” rreth ardhjes së tij në Kosovë.

Pacolli akuzoi partinë e cila udhëheq ekzekutivin në detyrë se nuk po e lë të hyjë në vend. Ai mbrëmë ka qëndruar në Tiranë, ndërsa nuk dihet se kur do të vijë në Kosovë.

Kurse, i propozuari për kryeministër nga LDK-ja Avdullah Hoti dje ka thënë se pjesë e Qeverisë së tij do të jetë edhe AKR-ja, ndonëse Pacolli kishte thënë se nuk ka interesim të jetë pjesë e ekzekutivit.

Beteja e zhurmshme politike e Behgjet Pacollit për t’u kthyer në Kosovë