Zyba reagon pas deklaratave të Haradinajt, i quan të pavërteta dhe tendencioze

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Salih Zyba i ka quajtur të pavërteta deklarimet e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i cili e ka akuzuar Zybën se ka qenë i angazhuar si sekser nga partia e tij që të siguroj votat për presidenten Vjosa Osmani.

Për KALLXO.com, Zyba tha se deklarimet e Haradinajt janë nga zhgënjimi me rezultatet e zgjedhjeve.

“Z. Haradinaj edhe mbrëmë edhe sot është duke thënë të pavërteta të rrezikshme për mënyrën e paraqitjes së një zyrtari publik, në këtë rast si kryetar partie. Këto deklarata mund të jenë nga zhgënjimi, nga rezultati, nga gjendja, por jo edhe nga e vërteta, sepse e konsideroj që z. Haradinaj nuk i kontribuon as situatës e as subjektit me këtë qëndrim”, tha Zyba.

Ai mohoi të ketë shkuar nëpër shtëpitë e deputetëve të AAK-së për të ushtruar presion mbi deputetët për të votuar Vjosa Osmanin për presidente.

“Këto përveç që janë të pavërteta janë edhe tendencioze, jo vetëm ndaj meje por edhe ndaj grupit tonë parlamentar. Nuk është e vërtetë që kam shkuar nëpër shtëpi për t’i bindur, sepse në kohë pandemie unë nuk dal askund”, tha Zyba për KALLXO.com.

Sot përmes një konferencë për media, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Salih Zyba se ka bërë trafikimin e votave për të zgjedhur presidente, Vjosa Osmanin.

“Zyba ka kontaktuar me deputetë tanë. Njëri nga deputetët tonë ka kërkuar që unë me u taku me të. Përgjigja ka qenë që ‘ju jeni sekser dhe s’takohem me ju, por jam i gatshëm të takohem me kryetarin e partisë kur ai e vlerëson, por ndalni këto praktika të presionit, presion serioz i gjithanshëm, pos joshjes”, tha Haradinaj.

Të dielën me 71 vota në rundin e tretë të votimit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur presidentin gjashtë me radhë që nga paslufta.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e AAK-së, përpos Albena Reshitajt, për të cilën Haradinaj tha se vota e saj është trafikuar.

Haradinaj: Sali Zyba është sekser klasik, ka trafikuar votat për presidenten