Zvicra e rimendon neutralitetin, konsideron të eksportojë armë në Ukrainë

Qeveria zvicerane është duke u përballur me mënyrën se si ta tejkalojë një ligj neutraliteti përmes të cilit e ndalon rieksportin e armëve nga partnerët evropianë në Ukrainë.

Ligjvënësit zviceranë po e rimendojnë se çfarë do të thotë të jesh neutral në mes të një konflikti të vazhdueshëm ushtarak mes Rusisë dhe Ukrainës – megjithëse ky ndryshimi mund të jetë i vonë për Kievin.

Në Bernë, dërgimi i armëve nuk varet vetëm nga një vendim politik nga lart, por edhe nga çështjet ligjore dhe një angazhim laik ndaj neutralitetit.

Një vend i vogël i rrethuar nga fuqi të mëdha, neutraliteti është futur në historinë e Zvicrës: Vendi malor ka qenë neutral për afro pesë shekuj, ndërkohë që njihet në të drejtën ndërkombëtare si një shtet neutral që nga viti 1815.

Sipas kuadrit ligjor aktual, Zvicra nuk mund të dërgojë drejtpërdrejt armë në vendet ndërluftuese dhe as nuk lejohet të rieksportojë; kështu që qeverisë zvicerane do t’i duhet ta miratojë drejtpërdrejt çdo furnizim me armë në Ukrainë.

Dhe tani, politikanët nga i gjithë spektri po e mendojnë pikërisht këtë.

Ndër ata që nxisin për ndryshim është politikani liberal Thierry Burkart, mocioni i propozuar i të cilit për t’i liruar eksportet e armëve do të debatohet të premten: “Ne jemi neutralë dhe do të mbetemi të tillë, por në situatën aktuale ne në fakt po i pengojmë partnerët tanë perëndimorë ta mbështesin Ukrainën”, ka deklaruar Burkhart për POLITICO.

Zyrtarët ukrainas i kanë kërkuar gjithashtu qeverisë zvicerane ta rishikojë pozicionin e saj. 

Berni zyrtar e ka bllokuar dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë nga disa vende evropiane, duke krijuar pengesa sfiduese, thonë ekspertët.

Për të adresuar këtë, Burkart, i cili udhëheqë me Partinë Liberale Demokratike të Lirë, paraqiti një mocion në nivel kombëtar në qershor të vitit 2022. Sipas këtij mocioni do të lejohej eksporti i armëve në Ukrainë nëpërmjet “vendeve që ndajnë vlerat zvicerane” pa pasur nevojë të kërkojë leje të shprehur nga qeveria.

Të premten, komiteti i sigurisë i Këshillit të Shtetit do ta diskutojë nismën e Burkart – e cila mund të marrë mbështetje nga të gjithë partitë.

Konservatori ëerner Salzmann, president i komitetit, tha se do të pajtohej me iniciativën nëse përmbushen disa kushte.

“Ligji i neutralitetit dikton që materiali ynë nuk mund të dorëzohet drejtpërdrejt në vendet ndërluftuese”- theksoi ai.

Për të siguruar që kjo të respektohet, ligji mund të ndryshohet për t’i lejuar rieksportet pesë vjet pasi armët të jenë dorëzuar në vendet aleate, shtoi Salzmann.

Koha po ikën

Ndërkohë, Kievi po përgatitet për një ofensivë ruse në pranverë. Pas një pritjeje të vështirë, Gjermania më në fund iu nënshtrua presionit në rritje nga aleatët javën e kaluar dhe me të tjerët është zotuar të dërgojë tanke në Ukrainë.

Duke qenë se politikanët zviceranë janë shumë të vetëdijshëm se ora e luftës po ecën, ata kanë dalë me ide të shumta për t’i anashkaluar kufizimet e rieksportit.

Në një mocion të veçantë, qeveria zvicerane mund t’i revokojë klauzolat që e parandalojnë rieksportin në marrëveshjet me vendet e treta nëse armët do të dërgohen në një zonë konflikti që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka dënuar si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky është rasti i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Mirëpo, mocione të tilla mund të miratohen vetëm pas një afati gjashtëmujor të referendumit.

Një nismë tjetër parlamentare – jo një mocion – synon të amendamentojë urgjentisht ligjin, duke i miratuar rieksportet e armëve të prodhimit zviceran në Ukrainë nëse këto janë “të lidhura me luftën ruso-ukrainase”.

Nëse miratohet nga të dyja dhomat, kjo nismë mund të hyjë në fuqi menjëherë, ndonëse me një afat kohor deri në fund të vitit 2025.

Sipas François Pointet, ligjvënës i Gjelbër dhe bashkëkryetar i komisionit të sigurisë të Këshillit Kombëtar, nisma në fjalë e quajtur Lex Ukraine, “është shumë specifike sepse ne duam të shpejtojmë  sepse duam t’i ndihmojmë ata”. 

Ai tha se megjithëse mocioni i OKB-së duhet ta zgjidhë problemin në të ardhmen, do të duhej shumë kohë për ta ndihmuar Ukrainën në një afat të shkurtër.

Burkart, nga ana e tij, beson se miratimi i mocionit që ai përcolli deri në vjeshtë do të jetë “shumë ambicioz”, për shkak të një procesi të gjatë që mund të rrëzohet në fund të tij nëse ndonjë palë kundërshton rezolutën dhe bën thirrje për një referendum.

Procesi legjislativ në Zvicër zgjat mesatarisht rreth katër vjet, thonë ekspertët.

Nëse armët zvicerane do t’i dërgohen Ukrainës në kohë që ajo të mund t’i përdorë ato kundër ofensivës së pritshme të pranverës ruse, vetëm Lex Ukraine mund ta lejojë Bernën ta largojë bllokadën e saj relativisht shpejt.

Megjithatë, është e vështirë të vlerësohet nëse kjo ka një shans për t’u miratuar, me disa parti që kanë treguar se do të votojnë kundër. Si Burkart ashtu edhe Salzmann i thanë POLITICO-s se janë kundër, sepse, sipas tyre, do ta shkelte parimin e neutralitetit të vendit nëse armët i dorëzohen drejtpërdrejt një vendi në luftë, por jo një vendi tjetër.

“Nëse i dorëzojmë Ukrainës, atëherë duhet t’ia dorëzojmë Rusisë”, pohoi Salzmann. “Nuk mendoj se ka një shans këtu”.

Edhe nëse nisma miratohet, vlerësohet se më koha më e hershme kur mund të hyjë në fuqi do të ishte këtë verë.

Mirëpo, deri në verë mund të jetë vonë për Ukrainën./Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala