
Foto: Ilir Peci/ Facebook
Zveçan, mbyllen zyre të qendrave për shërbime sociale të financuara nga Serbia
Në Zveçan më 24.02.2025 janë mbyllur zyra ku janë ofruar shërbime sociale nga strukturat paralele.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, përmes njoftimit në Facebook, i cili theksoi se qytetarët do të mund të marrin shërbimet e nevojshme nëpërmjet zyrave të Komunës dhe shërbimeve që ofrohen nga institucionet legjitime të shtetit të Kosovës.
“Kjo masë është ndërmarrë për të siguruar funksionimin e plotë dhe të rregullt të institucioneve tona shtetërore dhe për t’iu siguruar qytetarëve shërbime të cilësisë më të lartë, në përputhje me ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës”- u shpreh Peci.
Ndryshe, më 21.02.2025 KALLXO.com raportoi se janë mbyllur katër qendra për punë sociale në katër komunat në veri të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka thënë se zyrtarë të qendrës në Zubin Potok, e cila kishte funksionuar si strukturë paralele/ilegale, dyshohet se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën kërcënime i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë, duke ua kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre, në favor të një partie të caktuar politike, e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Policia bën të ditur se e kanë njoftuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, nga e cila kanë kërkuar që t’u lejohet kontrolli i këtyre qendrave, me qëllim të zbulimit të provave me të cilat do të vërtetohet saktë mënyra e veprimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm.
Ndërkaq, KALLXO.com, më 08.02.2025, raportoi se katër persona janë shoqëruar në stacion policor pasi dyshoheshin për shantazh ndaj votuesve në Zubin Potok.