Zvarritja institucionale e rritjes së numrit të aktorëve rezident të Teatrit Dodona

Teatri i Qytetit të Prishtinës “Dodona” për vite me radhë funksionon vetëm me katër aktorë si trupë rezidente artistike e këtij institucioni kulturor.

Para dy javësh disa aktorë përmes një konference kërkuan që të rritet numri i aktorëve rezidentë të Teatrit Dodona në Prishtinë, përndryshe do të protestojnë para komunës së Prishtinës deri në realizimin e kërkesës së tyre.

Kërkesa e aktorëve është që Teatri Dodona të ketë ansamblin rezident prej së paku 10 dhe më së shumti 20 aktorë, kërkesë e cila bazohet në Ligjin për Teatrin.

Sipas nenit 9 të ligjit për Teatrin, teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë dhe me së shumti njëzet aktorëve.

“Ne po kërkojmë që kjo kërkesë të merret parasysh, mirëpo komuna e Prishtinës është duke e anashkaluar dhe zvarritur këtë problem tash e tre muaj”, tha aktori Leonit Maloku.

Maloku, pjesëtar i komunitetit të Aktorëve të Prishtinës  tha për KALLXO.com se qytetet tjera të Kosovës e kanë konsoliduar trupën e tyre rezidente, dhe se aktorët kanë mundësi të zhvillohen artistikisht duke punuar në profesionin e tyre.

Ndërsa, sipas tij aktorët e Prishtinës nuk e kanë një mundësi të tillë dhe shumica prej tyre  detyrohen të bëjnë punë të tjera sa për mbijetesë.

“Kjo sepse Teatri Dodona aktualisht funksionon vetëm me katër aktorë, të cilët nuk e plotësojnë numrin e paraparë me ligj, dhe nuk është aspak gjithpërfshirës ngase nuk prodhon shfaqje për të rritur, por funksionon vetëm si Teatër i Kukullave”, tha Maloku.

Sipas tij ky numër i aktorëve nuk i përmbush nevojat e publikut dhe as nevojat e numrit të madh të aktorëve që ka Prishtina.

“Është për të të ardhur keq në çfarë gjendje të mjerueshme dhe sa i varfër është repertori i teatrit Dodona, i cili do të duhej të ishte shembull për qytetet tjera, por fatkeqësisht teatrit të qytetit të Prishtinës i ka ra perdja tash e sa kohë”, tha Maloku.

Ai tha se kanë komunikuar me drejtoreshën për Kulturë në komunën e Prishtinës dhe se arsyetimi i tyre është që  jemi akoma në pritje për takim me Ministren e Financave për ta zgjidhur këtë çështje.

Blerta Basholli, Drejtoreshë për Kulturë në komunën e Prishtinës tha për KALLXO.com  se  ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka caktuar Drejtorin e Thesarit për t’u marrë me këtë çështje dhe se së bashku me drejtoreshën e Financave Valbona Makolli dhe Avni Zuka nga Resurset Njerëzore të komunës së Prishtinës do të bashkëpunojnë me Ministrinë për të gjetur një mundësi të rritjes së ansamblit.

Basholli tha se beteja për rritjen e numrit të aktorëve rezidentë të Teatrit të Qytetit të Prishtinës ka filluar qysh në vitin 2018 dhe kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti  ka dërguar kërkesë në ministri të Financave për lejimin e 20 pozitave për aktorë, vetëm duhet të lejohen pozicionet që të mund të hapen konkurset.

Tutje, Basholli tha se si rrjedhojë e një pune mjaft të gjatë është arritë që në buxhetin e vitit 2020, të gjitha teatrove të qyteteve të ju lejohen 22 pozita për staf administrativ teknik dhe aktorë.

Por sipas saj, meqenëse “TQP Dodona”  i ka gjithsej 17 të punësuar, prej tyre katër aktorë, i është lejuar  që të bëhen  vetëm pesë pozita shtesë që të bëhen tërësisht 22.

Në lidhje me takimin e mbajtur me grupin e aktorëve që mbajtën konferencë për shtyp, e paralajmëruan protesta, Basholli tha se ata i kanë kërkuar që mos të hapet konkursi për pesë aktorë sepse kanë konsideruar se ky numër nuk është i mjaftueshëm dhe se duhet të kërkojmë më shumë pozita për aktorë rezidentë për qytetin e Prishtinës.

“Këshilli i Dodonës dhe Drejtori i Teatrit kanë vendosë që këto  pesë pozita të lejuara të shfrytëzohen vetëm për aktorë rezident, gjë që do ta rriste numrin e aktorëve rezident në Teatri i Qytetit të Prishtinës “TQP Dodona” në nëntë aktorë. Këtë e kam mbështetë edhe unë si Drejtore e Kulturës”, tha Basholli.

Sipas Bashollit  procesi është i gjatë dhe implikon bashkëpunim e vullnet ndërinstitucional dhe se ajo si drejtoreshë është  për të proceduar me konkurset për pesë aktorë rezidentë, pozitat për të cilët tani i kanë të siguruara nga Ministria e Financave.

Visar Krusha, drejtor i Teatrit Dodona tha se vitin e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendim t’ua lejojë komunave punësimin e 22 anëtarëve të stafit për të gjitha teatrot e qyteteve, aktorë dhe punonjës teknikë dhe administrativë por duke e pasur parasysh që “TQP Dodona” tashmë i ka 17 punonjës, i janë lejuar vetëm pesë pozita.

“Ne kemi kërkuar nga Komuna e Prishtinës që këta pesë punonjës të jenë aktorë dhe që të shpallet konkursi për këto vende të lira dhe tani po presim që Komuna e Prishtinës t’i fillojë procedurat për konkursin për pesë aktorë, gjë që do ta rritë numrin e aktorëve rezidentë në 9, me shpresë që në të ardhmen do të krijohet mundësia për punësimin e më shumë aktorëve rezidentë”, tha Krusha.

Aktori Leonit Maloku tha se nëse kërkesa e tyre  nuk merret parasysh, do të protestojmë në forma të ndryshme, ngase sipas tij do të mbetet i vetmi opsion.