Soliterat

Soliterët në Ulpianë

Zvarritja e renovimit të fasadës së 'Soliterëve'

Në mars të vitit të kaluar Komuna e Prishtinës njoftoi se në bashkëpunim me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) do bëjë renovimin e fasadave dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë elektrike te ‘Soliterët’ në lagjen ‘Ulpiana’.

Përfaqësuesi i MCC-së, Petrit Selimi, gjatë vitit të kaluar në një konferencë përe media me ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte deklaruar se 60% e investimit do mbulohet nga MCC, 30% nga komuna dhe 10% Ndërmarrja Banesore dhe banorët.

Atë kohë u tha se ka mbetur të zgjidhet fasada dhe të nis procesi i tenderimit, derisa punimet pritej të përfundonin në pranverën e vitit 2022.

Ka kaluar gati një vit nga konferenca lidhur me këtë investim, por në teren nuk ka ndryshuar asgjë.

Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Rina Meta nga MCC në një përgjigje për KALLXO.com deklaroi se fasada për ‘Soliterët’ është përzgjedhur në pajtim me të gjitha palët e përfshira, ku është vendosur të ruhet identiteti i këtyre ndërtesave ikonë të qytetit.

“Fasadën për ‘Soliterët’ e kemi përzgjedhur në bashkëpunim me projektin ‘KEREP’ të financuar nga Banka Botërore (ky projekt paraprakisht ka bërë auditimin energjetik të këtyre ndërtesave), NPB-ja dhe Komuna e Prishtinës. Në pajtim me gjitha palët e involvuara, kemi vendosur për ruajtjen e pamjes burimore të këtyre ndërtesave duke rritur fundamentalisht efiçencën energjetike dhe kursimin e rrymës”, ka thënë Meta.

Sipas saj, vonesat për implementim të këtij projekti kanë pasur të bëjnë me zgjedhjen e fasadës (pasi donin të ruajnë identitetin), analizat për përmbajtjen e mundshme të azbestit si dhe aprovimi nga banorët.

“Trajtimi i ndjeshëm i fasadës por edhe analizat jashtë vendit për përmbajtjen e mundshme të azbestit, involvimi dhe aprovimi i nevojshëm i disa palëve në projekt, duke i përfshirë edhe banorët e këtyre ndërtesave, e kanë zgjatur procesin e para-implementimit”, shtoi tutje Meta.

Ajo me tej theksoi se janë në fazën e shpalljes së prokurimit, derisa projekti duhet të përfundojë në në fund të shtatorit 2022.

“Momentalisht jemi në fazën e shpalljes të prokurimit, ku së shpejti do t’i përzgjedhim kompanitë ndërtimore të cilat do të trajnohen nga projekti ynë për implementimin e Masave të Efiçiencës në këto ndërtesa shumë-banesore. Sipas planit të përmbylljes së projekteve të aprovuara nga MCC, ky projekt duhet të përfundojë më 31 shtator 2022″, potencoi Meta.

Sipas Metës, tashmë kanë mbajtur takim me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për këtë projekt.

“Ne kemi mbajtur takim me Komunën e Prishtinës dhe kryetarin e ri Përparim Rama dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm për zhvillimet në lidhje me renovimit e ‘Soliterëve'”, shtoi Meta.

KALLXO.com ka kërkuar edhe pamje të projektit të përzgjedhur për fasadat, por këto nuk janë dërguar nga ana e tyre.

Tek pesë ‘Soliterët’ pritet të ketë investim deri në 2 milionë euro, kurse në total me investimin në efiçiencë të energjisë (që është projekt i veçantë) deri në 10 milionë euro.

Sipas të dhënave, do të rinovohet i tërë mbështjellësi i ndërtesave (fasada dhe dritaret), kulmet, hapësirat e përbashkëta, si dhe Ndërmarrja Publike Banesore ka marrë përsipër të rregullojë problemet me instalime të ujit dhe kanalizimit aty ku është e nevojshme.

Nga NPB-ja është thënë që në këto punime do ketë pjesëmarrje simbolike në financim edhe nga banorët, pagesa e saktë nga ana e banorëve do të dihet vetëm pasi të mbarojë procesi i tenderimit të kompanive ndërtimore.

Prishtina është një nga shtatë komunat e zgjedhura për investim në objekte të vjetra shumëkatëshe që po bëhen me ndihmë të MCC-së.

Komunat tjera përfituese të këtij aktiviteti specifik, në kuadër të projektit “Subvencione për Efiçencë të Energjisë në Kosovë – SEEK” janë Lipjani, Mitrovica, Novobërda, Vitia, Gjakova. SEEK implementohet dhe mbikqyret nga kompania gjermane GFA.