Zvarritja e projektit 1.1-milionësh të kanalizimit në Skenderaj, duhet të përfundonte në vitin 2019

Projekti i ndërtimit të kanalizimit në vlerë 1,159,800 euro, në fshatrat Klinë – Kuqicë në Skenderaj, është dashur të përfundonte brenda tre viteve nga nënshkrimi i kontratës, saktësisht në vitin 2019, por i njëjti ende nuk ka përfunduar.

“Duhet të përfundonte brenda tri viteve (gjatë vitit 2017, 2018 dhe 2019) por ky projekt ende nuk është realizuar në tërësi”, thuhet në raport.

Kjo është potencuar në raportin e vitit 2021 të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për Komunën e Skenderajt. Sipas Auditorit, kontrata për ndërtimin e kanalizimit në gjatësi 49,400 metra ishte nënshkruar në vitin 2016.

Auditori ka gjetur se këto vonesa ishin për shkak të hyrjes në kontratë para ndarjes së mjeteve të nevojshme buxhetore dhe për shkak të pengesave të ndryshme në terren të paraqitura nga komuniteti gjatë realizimit të projektit.

Në raport është potencuar që për këtë projekt, Komuna e Skenderajt ka realizuar një pagesë edhe në vitin 2021.

“Derisa më 07.05.2021 ishte realizuar edhe pagesa e situacionit të 25 në shumë prej 65,981 euro”, thuhet në raport.

Auditori ka potencuar se Komuna e Skenderajt kishte marrë vendimin për zgjatjen e afatit të kontratës me qëllim të realizimit të saj.

ZKA ka konstatuar se vonesat e gjata në realizimin e projekteve e zvogëlojnë vlerën e tyre dhe mos përmbushja e kushteve të kontratës mund të krijoje efekte shtesë me ndikim në buxhetin e komunës.

Si rrjedhojë kanë rekomanduar se kryetari duhet të sigurojë se me qëllim të realizimit me kohë të projekteve kapitale, paraprakisht të jenë siguruar fondet për realizimin e projektit dhe ka ndermarrë të gjitha masat për evitimin e pengesave në zbatim të kontratës.

Buxheti final për investime kapitale në Komunën e Skenderjat ishte 3,896,457 euro, prej tyre në 2021 ishin shpenzuar 3,319,291 euro. Ato kanë të bëjnë me ndërtimin e kanalizimeve, rrugëve, ujësjellësve, objekte kulturore, mirmbajtje investive, pajisje mjeksore, etj.

Raportin e plotë të auditorit për vitin 2021 për Komunën e Skenderajt mund ta lexoni në këtë LINK