Zvarritja e emërimit të drejtorit të Arsimit në Prishtinë, reagon Këshilli i Prindërve

Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka reaguar pasi Komuna e Prishtinës ende nuk ka caktuar udhëheqës të drejtorisë së Arsimit.

Këshilli e ka konsideruar të paarsyeshme dhe që sipas tyre, pasojat po i bartin fëmijët.

“Si përfaqësues të prindërve, duke u përballur me një valë të re të pandemisë, dhe me vështirësi të riciklueshme në shkollat e Komunës së Prishtinës, shprehim indinjatën tonë të thellë që Komuna e Prishtinës ende nuk e ka emëruar Drejtorin e Arsimit. Për këtë nivel rekord të papërgjegjësisë politike, pasojat po i bartin e do t’i bartin fëmijët tanë”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Sipas Këshillit, kjo zvarritje është shenjë dekurajuese për angazhimin e tyre vullnetar nëpër shkolla.

“Kjo, njëherazi, është shenjë shumë dekurajuese për angazhimin tonë vullnetar nëpër shkolla: që ata që kërkuan me muaj mbështetje politike për të marrë përgjegjësi, shfaqin këtë neglizhencë në një situatë të pashembullt për arsimin në vend – që nga paslufta”, thuhet tutje në reagim.

Sipas matjeve të Këshillit të Prindërve, tashmë kanë kaluar rreth 4% e mandatit 4 vjeçar të qeverisë komunale pa drejtor të Arsimit.

“Rezulton se rreth 4% e kohës prej mandatit të filluar nga zgjedhjet e fundit, Komuna e Prishtinës po i kalon pa drejtor të DKA-së. Skajshmërish e paarsyeshme!”, thuhet në komunikatën për media të Këshillit të Prindërve.

Më 19 janar 2022, kryetari Përparim Rama bëri të ditur ekipin e tij të drejtorëve pas më shumë se 1 muaj nga dita që u betua në këtë pozitë.

Por, partneri i tij qeverisës, PDK-ja ende nuk i ka publikuar emrat e drejtorive që i takojnë sipas marrëveshjes. Si rrjedhojë, drejtoria e Arsimit i takon PDK-së.

Përparim Rama emëron ekipin me të cilin do ta drejtojë Prishtinën, këta janë drejtorët