Rektorati i UP | Foto: KALLXO.com

Zvarritet intervistimi i kandidatëve për Rektor të UP-së, rasti i Zenun Halilit dërgohet në Anti-Korrupsion

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka mbajtur mbledhjen e saj, por nuk do të procedojë me intervistimin e kandidatëve për rektor.

Kjo pasi që sipas kryesuesit të këtij këshilli, Ujkan Bajra se kanë informacione nga mediat që rasti është në Agjencionin Kundër Korrupsion  dhe po presin vendimin e kësaj agjencie.

“Nuk mundemi me procedu me intervistim pasi rasti i Zenun Halilit është dërguar në Agjencionin Kundër Korrupsion dhe pa e pritur përgjigjen nga ana e tyre, sepse Komisioni profesional ka dhënë konkluzione në lidhje me kanditatin se ka konflikt interesi”, tha Bajra për KALLXO.com.

Kandidati Zenun Halili ishte eleminuar nga gara për rektor nga Komisioni Profesional për shqyrtimin e aplikacioneve të konkursit për rektor, të formuar nga Senati.

Ky komision në raportin final kishin konstatuar se sipas kritereve të konkursit publik, ai është në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Komisioni ka analizuar dhe marrë për bazë dispozitat e ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit  në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjatë shqyrtimit të aplikacionit të kandidatit, Zenun Halili, komisioni profesional ka vërejtur se Prof, Zenun Halili, ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, i cili është organ mbikëqyrës i UP-së dhe ai të njejtën pozitë e ka mbajtur nga vitit 2019 deri në vitin 2020”, thuhet në raportin e komisionit vlerësues.

Tutje, komisioni ka theksuar se Ligji për Parandalimin e Konflikit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik tregon qartë për kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike.

“Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë të punësohet ose emërohet, për një periudhë prej dy vjeçare pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese, apo të përfshihet në kontrollin ose auditimin e institucioneve publike dhe private dhe institucioneve vartëse të tyre të cilat kanë marrëdhënie biznesi me institucionin ku ka ushtruar funksion publik, nëse detyrat e tij gjatë periudhës dy vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik, kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen, kontrollin apo sanksionimin e aktivitetetit të tyre”, thuhet në raport.

Ata kanë theksuar se pozita e rektorit është përcaktuar si zyrtar i lartë sipas nenit 3, paragrafi 3.1 dhe paragrafi 3.11, të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Duke marrë për bazë kompetencat e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, të përcaktuara me nenin 17 të statutit të UP-së, detyrat e anëtarit të Këshillit Drejtues janë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen dhe kontrollin e Universitetit të Prishtinës”, thuhet më tej në raportin e komisionit vlerësues.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti.

KALLXO.com kishte raportuar se Halili po ashtu ka qenë kandidatë për deputet nga partia e Ramush Haradinaj, AAK në vitin 2014.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka.

Rektori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga Komisioni profesional prej pesë anëtareve, të cilin komision e formon Senati.

Në garën për të parin e UP-së kanë qenë pesë kandidatë dhe vetëm tre prej tyre janë propozuar për rektor të UP-së që janë Naser Sahiti, Faton Berisha dhe Blerim Rexha.

Konkursi për rektor të Universitetit të Prishtinës ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik në ora 15:30. Sipas konkursit, të drejtë kandidimi për këtë pozitë kanë pasur kandidatët e brendshëm dhe të jashtëm.

Edhe pse sipas dinamikës zgjedhore të UP-së, të miratuar nga ana e Këshillit Drejtues i UP-së, isht e paraparë që në këtë kohë të bëhej intervistomi, rend dite në këtë mbledhje është verifikimi i mandatit të anëtarit të ri të KD-së, Florim Isufi, diskutimi rreth procesit zgjedhor të UP-së dhe raporti i KQZ-së, diskutimi dhe marrja e vendimit për plotësimin e komisioneve funskionale dhe komisioneve tjera ndihmëse për KD, etj.

KALLXO.com po ashtu dje kishte raportuar se nuk ishte mbajtur intervistimi i kanditatëve për rektor nga KD i UP-së dhe se nuk ishin dërguar ftesat ndaj kandidatëve.

Shtyhet intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së

.