Zv/ministri i Jashtëm Ahmeti: E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti ka thënë qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë nuk është duke iu mohuar e drejta e votimit.

“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm pretekst për destabilizim eventual të vendit e rajonit”, ka shkruar ai në facebook.

Sipas, Ahmetit nuk duhet të lejohet një referendum i tillë duke u bazuar në praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit.

“Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”, ka theksuar ai.

Sipas Ahmetit edhe Kosova duhet t`i ndjek praktikat e vendeve të tjera të rajonit në raport me pakicat serbe.

“Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”, ka theksuar ai.

Të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë  këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë

Ndërsa Serbia kërkon që ky referendum të mbahet ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet.

Përmes një deklarate të përbashkët, edhe ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara si dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga qeveria e Kosovës që ti lejoj qytetarët serb që të votojnë në referendumin e së dielës në një proces të organizuar nga OSBE.

Vendet e Quintit dhe BE kërkojnë nga qeveria të lejojë referendumin e Serbisë në Kosovë