Foto: Albulena Balaj-Halimaj/Facebook

Zv.kryeministrja viziton pikën kufitare me Shqipërinë, kërkon falje që ky kufi nuk u hap i pari

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e kufirit, zëvendëskryeministrja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj – Halimaj e ka vizituar pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Pa anashkaluar rrezikun për përhapjen e mëtutjeshme të virusit COVID-19 dhe duke respektuar masat e reja për parandalimin e saj, bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikave tona që të vazhdojnë kujdesin maksimal edhe pse fitorja e kësaj beteje duket e afërt”, ka shkruar Balaj-Halimaj në Facebook.

Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës u kërkoi falje të gjithë qytetarëve shqiptarë, pasi që kjo pikë kufitare do duhej të hapej e para.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që nga nesër do të lejohet qarkullimi i plotë brenda në Kosovë dhe po ashtu edhe me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e hëna qytetarët që hynë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetizolimit 7 ditor.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj gjatë mbledhjes së Qeverisë u kërkoi falje qytetarëve të Shqipërisë.

“Kërkojmë falje qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që kanë qenë të irrituar kur kanë parë që kufiri me Serbinë ka qenë i hapur e me Shqipërinë jo. I kërkoj falje edhe Policisë së Kosovës që kanë hasur në vështirësi në zbatimin e masave”, ka thënë Balaj-Halimaj.