Zv/kryeministri i del në mbrojtje djalit të Haxhi Shalës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se nuk ka qenë në marrëveshje të koalicionit që djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala të bëhej konsull në Pragë.

Këtë deklaratë ai e dha në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, e cila e kritikoi qeverinë për pazare politike dhe nepotizëm.

Zëvendëskryeministri ka shtuar se rasti i punësimit të djalit të deputetit, ka pasur përgatitje të avancuar akademike.

“Fatmirësisht a fatkeqësisht ka qëllu me qenë djali i Haxhi Shalës, kaq”, tha ai.

Tahiri shtoi se fëmijët e politikanëve në Kosovë janë të anatemuar nga punësimi në sektorin publik.

“Unë e kuptoj plotësisht që edhe opozita dhe diskusi pulbik në vend është shume i ngarkuar dhe i idhnuar me nepotizimin dhe punësimin politik e partiak që ka ndodhë tash e 20 vjet, por mos të harrojmë që shumë fëmijë të politikanëve që kanë aftësi profesionale janë të anatemuar kur flas për punësime në sektrin publi”, tha ai.

Tahiri tha se njeh shumë të tillë dhe nuk do që t’i paraqes si viktima.

“Nuk po du me i paraqit si viktima por qaq shumë është i nagrkuar diskursi pulbik saqë një fëmijë i një politikani, deputeti, ministri, nesër me konkurru me qënë më i miri kanë me thanë që ka hi në punë me të njofshëm për shkak të babës ose nanës”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, kishte shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada.

Ky vendim ka ardhur pasi që djali i deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala, ishte emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë/ Çeki,  pas rekomandimit të ministres së AAK-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj- Stublla.

Vjosa Osmani shkarkon djalin e Haxhi Shalës dhe tre konsuj të tjerë