Foto: KALLXO.com

Zv/kryeministri Abazi jep detaje nga takimi i Qeverisë në Prevallë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi ka thënë se në takimin e sotëm të kabinetit qeveritar në Prevallë marrëveshja e koalicionit po kthehet në program qeverisës.

Abazi shtoi se në pjesën e parë të takimit ministrat kanë treguar për gjendjen të cilën e kanë gjetur nëpër dikasteret përkatëse.

“Është një ditë pune e cila ka kthyer marrëveshjen e koalicionit në program qeverisës. Dhe në pjesën e parë të ditës, dëgjuam të gjithë ministrat një nga një duke referuar për procesin e skanimit, vlerësimit të gjendjes në të cilën kanë marr ministritë dhe procesin e fuzionimit të ministrive përbrenda strukturës apo arkitekturës së re qeverisëse e cila është bërë me vendimin e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.

Abazi shtoi se dita do të vazhdojë me karakter punues.

“Në pjesën e dytë do të dëgjojmë ministrat prap një nga një për prioritetet afatshkurtra, afatmesme që do të përcaktojnë gjithashtuplanin veprues në javët në vazhdim.Theks i veçantë është që përveç ministrat të tregojnë për prioritetet e tyre, gjithashtu të shohim se ku janë pikat e bashkërendimit të duhet të ndodhin ndërmjet dy ministrive apo më shumë që menjëherë të fillojmë me punën e koordinimit të çfarëdo ndihme që mund të kenë për të mos u vonuar”, tha ai para gazetarëve, duke shtuar se në këtë drejtim kanë sfida.

“Kemi shumë sfida me të cilat jemi duke u ballafaquar por bashkërendimi besoj që shumë shpejt do të arrijë që plani i punës të jetë i qartë dhe konkret dhe i cili do të ju prezentohet të gjithëve, edhe publikut edhe Kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.

I pyetur nëse në këtë takim do të trajtohet tema e tarifës dhe reciprocitetit, Abazi u përgjigj se nuk është diskutuar për këtë gjë.

“Ne u morëm vesh që s’do të marrim pyetjet por për hir të publikut absolutisht nuk ka asnjë gjë tjetër që është duke u diskutuar veçse kthimi i marrëveshjes së koaliionit në plan qeverisës dhe zbërthimi i saj në plan veprues dhe detyra e prioritet konkrete. Ky është karakteri i këtij takimi”, tha zëvendëskryeministri.

Ekipi i KALLXO.com është në Prevallë dhe gjatë ditës do të raportojë për zhvillimet e fundit rreth këtij takimi.

LIVE – Takimi i Kabinetit Qeveritar në Prevallë, flet zv/kryeministri Haki Abazi

Publiée par Kallxo.com sur Samedi 29 février 2020