Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Foto: Arben Fetai/Facebook
Zv.kryeministrat e Maqedonisë së Veriut për incidentin e Osmanit, njëri e takon ministren Gërvalla e tjetri reagon për incidentin
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, gjatë qëndrimit tij në Kosovë ka njoftuar se është takuar me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, me të cilën kanë folur për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit.
Zëvendëskryeministri Fetai ka thënë se e ka informuar ministren Gërvalla se institucionet e tyre janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe se do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje që do të mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit.
“I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka patur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë” – ka shkruar zëvendëskryeministri Fetai në Facebook, më 02.08.2024.
Sipas zëvendëskryeministrit Fetai, ai dhe ministrja Gërvalla janë pajtuar se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohenbashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh.
Për incidentin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri tjetër i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
Në reagimin e tij, zëvendëskryeministrit Mexhiti pasi ka theksuar se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv, konstruktiv, pa pyetje të hapura dhe me dialog të sinqertë në të gjitha fushat, ka shprehur keqardhjen për keqkuptimet që kanë ndodhur gjatë udhëtimit të presidentes Osmani.
“Shprehim keqardhjen tonë për keqkuptimet e ndodhura gjatë udhëtimit të djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës SH.E. Vjosa Osmani në Aeroportin ndërkombëtar në Shkup” – ka shkruar zëvendëskryeminstri Mexhiti në Facebook, më 02.08.2024.
Mexhiti ka njoftuar po ashtu se do të bëhet një analizë e të gjitha informacioneve nga të gjitha institucionet kompetente lidhur me ngjarjen, e të cilat thotë se tashmë i ka kërkuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
“Pasi të jetë bërë një analizë e duhur e të dhënave të grumbulluara në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të ndërmerren të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, me qëllim kryesor shmangien e dukurive dhe situatave të tilla apo të ngjashme në të ardhmen” – ka përfunduar Mexhiti.
Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ndarë informatat zyrtare që kanë mbledhur deri më tani lidhur me incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit.
Sipas versionit të Presidencës, sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani.
Egnesa Vitia nga Presidenca ka thënë për KALLXO.com se sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrja Donika Gërvalla e ka takuar dy herë ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë për të kërkuar sqarime për incidentin e presidentes Osmani.
“Në lidhje me këtë incident, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë mbrëmë menjëherë pas incidentit dhe po ashtu edhe sot, duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 02.08.2024.
Në njoftimin e tyre, edhe MPJD ka treguar se ministrja Gërvalla u takua me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai.
Shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të presidentes Osmani, MPJD thotë se ministrja Gërvalla ia ka kumtuar pasditen e të premtes (02.08.2024) në një telefonatë homologut të saj në Maqedoni të Veriut, Timço Mucunski.
Si përfundim, MPJD njofton se ministrja Gërvalla ka paraqitur notë proteste tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për incidentin e presidentes Osmani.
“Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen” – kanë theksuar nga MPJD.
Më 02.08.2024 edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar lidhur me deklarimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe e kanë quajtur propagandë informimin e disa mediave të Maqedonisë së Veriut për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit.
Në reagimin e tyre, Presidenca e ka sqaruar në tërësi situatën që ndodhi në Aeroportin e Shkupit.
Sipas Presidencës, në vend të kërkimfaljes, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut e ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes Osmani.
“Presidentja me të drejtë ka refuzuar një gjë të tillë, bazuar edhe në këshillat që për vite me radhë i merr nga vet institucionet e sigurisë. Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB e Maqedonisë pranuan se urdhëri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontrollë të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike” – thuhet në reagimin e Presidencës më 02.08.2024.
Sqarimet e tyre për situatën në Aeroportin e Shkupit nga Presidenca, i kanë filluar duke përmendur faktin se sipas praktikës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje dhe imunitete diplomatike.
“Kjo është e ditur botërisht dhe deri më tani është respektuar nga çdo shtet ku ka udhëtuar Presidentja, përfshirë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Pala maqedonase ka qenë paraprakisht e njoftuar zyrtarisht për udhëtimin e Presidentes në përputhje me praktikat diplomatike” – kanë theksuar nga Presidenca.
Presidenca e Kosovës e ka mohuar se presidentja Osmani nuk kishte panuar ta skanojë çantën e saj të dorës dhe kanë shtuar se Osmani nuk kishte pasur bagazh, me qëllimin e tyre për t’i demantuar siç thonë disa media në Maqedoni të Veriut lidhur me këtë çështje.
“Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj” – janë shprehur nga Presidenca.
Ata e kanë vlerësuar si “skandaloze” të pretendohet nga kushdo se gjoja presidentja Osmani kishte diçka të dyshimtë në çantën e saj. Më tej, përveç se e kanë konsideruar si të “pavërtetë të madhe”, por edhe si “akuzën dhe propagandën më të rëndë” të bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Kosovës.
“Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se kinse ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpier tek kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të Presidentes. Kjo është tendencë e paprecedentë për denigrim jo vetëm të Presidentes, por edhe të shtetit të Kosovës. Maqedonia e Veriut duhet ta ketë parasysh që një propagandë të tillë është duke e bërë kundër një Presidenteje, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka kontribuar vetëm e vetëm në thellimin e raporteve pozitive ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut” – kanë shtuar nga Presidenca.
Për shkak të këtij incidenti, Presidenca ka bërë edhe krahasimin e trajtimit të krerëve të shteteve në mes Aeroportit të Shkupit dhe atij të Prishtinës.
“Edhe Aeroporti i Prishtinës është i koncesionuar dhe menaxhohet nga kompani private, por ne nuk lejojmë asnjëherë që një president i një shteti tjetër të trajtohet në mënyrë të tillë jodinjitoze e arrogante dhe të kërkohet t’i merret telefoni personal për vendosje në skanerë” – kanë thënë nga Presidenca.
Kurse, kërkesën për ta vendosur telefonin personal të kreut të shtetit në skaner e kanë vlerësuar se bie ndesh me protokollet e sigurisë dhe praktikat ndërkombëtare, pasi sipas tyre, telefoni i kreut të shtetit dihet qartë se përdoret për komunikim zyrtar, përfshirë edhe për çështje të sigurisë.
“Në kundërshtim me këto standarde ishte edhe kontrolli i çantës së dorës së Presidentes, por ajo përkundër kësaj menjeherë e ka vendosur çantën në skaner” – kanë thënë në mes tjerash nga Presidenca.
Tutje, ata kanë sqaruar situatën e krijuar në Aeroportin e Shkupit edhe sa i përket reagimit të Policisë së Kosovës, që ka qenë prezente me presidenten Osmani.
“Edhe pse Policia e Kosovës ia ka komunikuar paraprakisht zyrtarëve të aeroportit të Shkupit rregullat e aplikueshme në situata të tilla, ata kanë tentuar ta pengojnë fizikisht Presidenten, me ç’rast në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë, ka reaguar profesionalisht Policia e Kosovës” – thonë nga Presidenca.
Si rrjedhojë, situatën në Shkup e kanë cilësuar si situatë e cila nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse sipas tyre, një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident, e për të cilën bëjnë thirrje që të trajohet me seriozitet.
“Në vend të arsyetimeve dhe lejimit të propagandës kundër Republikës së Kosovës, kërkojmë nga autoritetet zyrtare në Shkup që me urgjencë ta trajtojnë rastin me seriozitet të lartë dhe të merren masat përkatëse ndaj zyrtarëve që kanë bërë këtë sulm ndaj Republikës së Kosovës” – kanë bërë thirrje nga Presidenca.
Tutje, Presidenca ka përmendur edhe përvojën dhe trajtimin e presidentes Osmani në të gjitha udhëtimet e saj.
“Nga SHBA-të e deri te shtetet e tjera të rajonit, në çdo udhëtim të Presidentes respektohen në plotëni rregullat e trajtimit të kreut të shtetit dhe asnjëherë nuk kërkohet të preket, e lëre më të dorëzohet në skaner as telefoni i Presidentes, as çanta e dorës e as valixhja e saj (carry on)” – kanë treguar nga Presidenca.
Si përfundim, Presidenca konsideron se të gjitha këto që kanë përmendur janë rregulla që i respekton çdo shtet e i kanë respektuar edhe shtetet jonjohëse të Kosovës.
“Pra Kosova në këtë rast nuk po kërkon asgjë tjetër pos normave që respektohen çdokund në botë. Çdo shkelje e këtyre normave konsiderohet shkelje e mosrespekt ndaj vet shtetit” – kanë përfunduar në reagimin e tyre nga Presidenca.
Teksa rasti po cilësohet si skandal diplomatik, dy anë të kundërta janë dhënë nga autoritetet e Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.
Presidenca e Kosovës deklaroi që sigurimi i Aeroportit të Shkupit, duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani.
Sipas Presidencës, kjo nuk ishte pranuar nga presidentja, derisa pas kësaj kishte pasur edhe tentim së shtyrjes fizike nga ana e sigurimit të Aeroportit ndaj presidentes, sa që është dashur të intervenoj Policia e Kosovës.
Ndërsa, autoritetet në Maqedoni të Veriut thanë së telefoni presidentes i është kërkuar për skanim, por më pas në Aeroport erdhën edhe disa policë të tjerë, njëri nga ta sigurim i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, e që më pas të njëjtët kërcënuan punëtorët aty.