Zv/Guvernatori Havolli flet për presionet politike dhe shkarkimin të cilat i përmendi Guvernatori i BQK-së në letrën drejtuar ambasadorit të QUINT-it - VIDEO

Zëvendës Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli është përgjigjur në lidhje me letrën e Guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti që i ka dërguar një ambasadori të QUINT-it, në të cilën e ka njoftuar se gjendet nën presion politik që të shkarkoj Havollin.

“Është çështje që e kemi diskutuar hapur edhe në BQK, ka dashtë me bo edhe grupe punuese parlamenti, për me ardh në konstatim nëse ligji i BQK-së ka pasur zbatueshmëri, pra parlamenti me mbikëqyr BQK-në dhe nëse ka pas zbatueshmëri të ligjit të sigurimeve. Ne nuk kemi kundërshtu për m`u bo mbikëqyrja e zbatimit të ligjit të Bankës Qendrore në asnjë moment, por le ta bëjnë trupat jo-politike, kjo është çka kemi thënë ne vazhdimisht”, ka deklaruar Havolli në #KallxoPernime.

Sipas Havollit, Kushtetuta flet qartë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të jetë e pavarur.

“Unë nuk kam problem, ka problem Kushtetuta. Sepse Sokol Havolli nuk mundet me pas problem, as Fehmi Mehmeti mundet mos me pas problem, por shihe çka thotë Kushtetuta. Kushtetua thotë që për Bankën Qendrore duhet me respektu plotësisht pavarësinë e Bankës Qendrore dhe po ashtu të gjitha ligjet që nxirren për BQK-në duhet t‘i përshtaten ligjeve dhe nenit respektiv të Kushtetues, për m`u siguru në zbatimin e kushtetutshmërisë”, shtoi Havolli.

Ai thotë se detyrën e tij e ushtron në mënyrë të pavarur pa u ndikuar nga politika.

“A je në presion nga politika?”, ishte pyetja që Jeta Xharra i drejtoi Havollit gjatë intervistës e cila u transmetua sonte në #KallxoPernime.

“Ne e kemi parë këtë si çështje relativisht problematike, çështjen që e ka ngritur Komisioni për të themeluar grupe punuese për me pa zbatimin e ligjit të BQK-së, besimi jonë është që kjo do ta cenonte Bankën Qendrore. Ne jemi të gatshëm të ballafaqohemi dhe jemi ballafaquar përgjatë edhe këtij mandati dhe mandateve të tjera”, u përgjigj Havolli.

“Keni qenë pa bord që një vit, pa mbikëqyrje, nuk keni pas mbikëqyrje”, vazhdoi Xharra.

“Ne ju kemi nënshtru dhjetëra proceseve gjyqësore si rezultat i vendimmarrjes tonë, qoftë në periudhë kur kemi pas bord, qoftë në periudhën kur nuk kemi pas bord, qoftë sot ballafaqohemi me procese gjyqësore që bordi i kaluar ka marrë vendimmarrje dhe BQK çdo proces gjyqësor prej të 1 deri të fundit e fiton”, tha Havolli.

Në letrën që KALLXO.com ka siguruar përmes burimeve brenda njërës prej ambasadave të shteteve të QUINT-it, Guvernatori thotë se nuk ka arsye për ta shkarkuar Havollin.

“Pothuajse në baza ditore unë jam nën presion politik që ta shkarkoj zëvendësguvernatorin z. Sokol Havolli, edhe pse nuk ka arsye objektive për ta bërë një gjë të tillë dhe përkundër sigurisë së garantuar me ligj të mandatit të tij. Përveç performancës së tij të shkëlqyer në BQK, z. Havolli është edhe dëshmitar kyç në procesin e arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Iute Credit Europe. Si i tillë, sulmi personal ndaj z. Havolli e rrezikon shumë këtë proces arbitrazhi që pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2023”, ka shkruar Mehmeti.

Edhe për këtë rast Havolli ka një përgjigje për të cilën thotë se njëri nga anëtarët e bordit ka përmend që i njëjti duhet të japë dorëheqje nga pozita në BQK.

“Në fakt kjo ka qenë që nga fillimi i funksionalizimit të bordit. Unë pak u pata befasu që dorën në zemër ti mundesh mos me u pajtu por rregullimet që kanë ndodhur në industrinë financiare në Kosovë kanë qenë të paimagjinueshme për shumë njerëz dhe besimi im ka qenë që çdo institucion do ta vlerësonte punën pozitive. Bordi tashmë është kompletuar dhe një anëtar i bordit, Bashkim Nurboja, dhe kërkesa e tij ka qenë që përmes disa njerëzve me bind Sokolin me dhanë dorëheqje, se duhet me shku”, sqaron Havolli.

“Ta ka kontestu këtë punën e zgjedhjes”, i thotë Xharra, Havollit.

“Unë nuk jam i shqetësuar për kontestimin e zgjedhjes. Sot kërkush nuk mundet me të ndal me çu në gjykatë me thanë Sokoli nuk është zgjedh mirë”, thotë Havolli, deri sa Xharra i thotë se procesi mund të zgjas deri në 10 vjet.

“Jo, unë nuk jam i shqetësuar se e kam të drejtën e ankesës në Gjykatë Supreme dhe kjo është 72 orë e vendos masën e përkohshme”, vazhdon Havolli.

“Kam prit që do të vlerësohen rezultatet e punës sepse e keni pasur një industri që ka qenë në shkelje ligjore dhe në një periudhë më shumë se që e kam prit e kemi mbërri me kthy një industri tejet problematike në përputhje me Ligjin, gjë të cilën ashtu më është tregu prej disa miqve të përbashkët që kemi me Bashkimin. Ai e di që është bërë një rezultat i mirë i punës, nuk mund ta them që në mënyrë direkte ka thënë që Sokoli ka kontribu shumë, nuk mund ta them këtë por në mënyrë indirekte e ka pranuar me këta miq të përbashkët. Por i ka lutur që bindeni Sokolin që të jap dorëheqje sepse ashtu duhet, sepse nëse jep ai dorëheqje ne ja japim pagën 70% ashtu siç i takon me ligj, e nëse nuk jep dorëheqje Sokoli duhet me gjet diçka dhe me shkarku”, vazhdon të tregojë Havolli.

Havolli shtoi se zgjedhja e tij në pozitën e Zëvendës Guvernatorit është diskutuar shumë.

“Duhet me shku Sokoli, nëse nuk shkon duhet me gjet diçka, kjo për mua është presion”, shton Havolli.

Guvernatori Fehmi Mehmeti e ka informuar ambasadorin po ashtu se Kuvendi i Kosovës (përmes Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere) e ka futur në rend dite themelimin e një grupi punues me detyrë implementimin dhe mbikëqyrjen e Ligjit për Bankën Qendrore dhe Ligjit për Sigurime.

Mehmeti ka shkruar se ky vendim politik padyshim që ndërhyn në pavarësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe e dobëson raportin e Bankës Qendrore me mekanizmat ndërkombëtar.

“Institucionet politike, siç është Kuvendi, nuk mund (dhe nuk duhet) të kenë kompetenca për të kryer inspektime në hapësirat e Bankës Qendrore dhe të ndërhyjë në punën e saj”, thuhet në letrën e Mehmetit.

Guvernatori ka thënë se do ta bëjnë publik presionin që kanë si Bankë Qendrore në mënyrë që të ekspozojë “kundërligjshmërinë e veprimeve të tilla dhe duke e informuar opinionin e gjerë për pasojat e mundshme për ekonominë e vendit në përgjithësi”.

Mehmeti thotë se letrën tek Ambasadori po e dërgon sa për të informuar rreth zhvillimeve në BQK.

Kjo është letra e plotë e Guvernatorit Fehmi Mehmeti drejtuar ambasadorit:

Shkelqësia juaj, 

Përmes kësaj letre, më lejoni të ju tërheqi vëmendjen tuaj për disa zhvillime në sektorin financiar të Kosovës, si dhe për disa çështje të fundit që kanë të bëjnë me pavarësinë dhe autonominë e Bankës Qendrore të Kosovës, të garantuara sipas Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjin për Bankën Qendrore.

Sektori financiar në Republikën e Kosovës është një nga sektorët më të stabil dhe më të suksesshëm. Me përpjekje të përbashkëta, përfshirë edhe institucionet partnere, siç është Ambasada juaj e nderuar, kemi arritur ta ndërtojmë dhe mbështesim një Bankë Qendrore profesionale dhe të pavarur ndër vite. Si rezultat i qeverisjes së përgjegjshme si dhe pavarësisë së Bankës Qendrore, e shkëputur nga politika ditore, sektori financiar në Kosovë ka qenë një ndër storiet kryesore të suksesit në vend.  Raportet ndërkombëtare (të tillë si Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2021), e listojnë sektorin financiar të Kosovës si shumë të suksesshëm, pasi i ka përmbushur të gjitha standardet e aplikueshme që ishin pjesë e kompetencave dhe përgjegjësive të Bankës Qendrore. Gjetje të ngjashme gjenden edhe në raportet kombëtare) p.sh., nga EPIK, një organizatë joqeveritare, në raportin e vitit 2021).

Banka Qendrore ka arritur t’i tejkalojë edhe sfidat më të mëdha për sistemin financiar, të tilla si COVID-19 dhe lufta aktuale në Ukrainë, përmes politikave të përshtatura brenda vendit, të cilat kanë siguruar stabilitet si askush tjetër në rajon. Në një ekonomi të kufizuar për shkak të masave bllokuese, ne arritëm megjithatë ta mbajmë një nivel të ulët kredish me probleme, kapitalizim të lartë dhe likuiditet të lartë në sektor, përveç rritjes së konkurrencës duke i licencuar institucionet e reja. Për më tepër, në tri vitet e fundit kemi arritur që sektori i sigurimeve të jetë në përputhje të plotë me kuadrin rregullator dhe tani synojmë liberalizimin e tregut të produkteve TPL, duke qenë vendi i parë në rajon që adopton praktika të tilla moderne.

Marrë parasysh këtë histori suksesi të Bankës Qendrore të Kosovës, për ne është e çuditshme dhe në të njëjtën kohë shqetësuese që legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës po tenton të ndërhyjë politikisht në pavarësinë dhe autonominë e garantuar me Kushtetutë të Bankës Qendrore (nenet 11 dhe 140 të Kushtetutës).

Së fundmi, Kuvendi i Kosovës (përmes Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere) e ka futur në rend dite themelimin e një grupi punues me detyrë implementimin dhe mbikëqyrjen e Ligjit për Bankën Qendrore dhe Ligjit për Sigurime. Ky vendim politik padyshim që ndërhyn në pavarësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe e dobëson raportin e Bankës Qendrore me mekanizmat ndërkombëtarë (dhe, me këtë, e dobëson stabilitetin e sektorit financiar të Kosovës). Institucionet politike, siç është Kuvendi, nuk mund (dhe nuk duhet) të kenë kompetenca për të kryer inspektime në hapësirat e Bankës Qendrore dhe të ndërhyjë në punën e saj. Për më tepër, pothuajse në baza ditore unë jam nën presion politik që ta shkarkoj zëvendësguvernatorin. Z. Sokol Havolli, edhe pse nuk ka arsye objektive për ta bërë një gjë të tillë dhe përkundër sigurisë së garantuar me ligj të mandatit të tij. Përveç performancës së tij të shkëlqyer në BQK, z. Havolli është edhe dëshmitar kyç në procesin e arbitrazhit ndërmjet Kosovës dhe Iute Credit Europe. Si i tillë, sulmi personal ndaj z. Havolli e rrezikon shumë këtë proces arbitrazhi që pritet të përfundojë në shkurt të vitit 2023.

Një shpërfillje e tillë e Kushtetutës dhe ligjeve përkatëse nga spektri aktual politik nuk duhet të kalojë pa u vënë re. Deri më tani, ne jemi përmbajtur nga bërja publike e kësaj çështjeje, pasi kemi besuar se kjo mund të jetë e përkohshme dhe kemi arritur ta bindim spektrin politik për domosdoshmërinë e pavarësisë së BQK-së. Për shkak se masat më të vogla duket se nuk po funksionojnë, Banka Qendrore e Kosovës planifikon ta iniciojë një komunikim publik, duke e ekspozuar kundërligjshmërinë e veprimeve të tilla dhe duke e informuar opinionin e gjerë për pasojat e mundshme për ekonominë e vendit në përgjithësi. Meqenëse Ambasada juaj e respektuar ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e Bankës Qendrore, e pashë të nevojshme t’ju informoj për këto zhvillime të mundimshme dhe për hapat tanë të mëtejshëm.

Në fund, dëshiroj ta shpreh mirënjohjen e përzemërt të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të domosdoshme të Ambasadës suaj të nderuar ndaj institucionit tonë, dhe shfrytëzoj rastin që t’iu ftoj të na nderoni me një vizitë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, për një diskutim të mëtejshëm të këtyre çështjeve.

Sinqerisht,

Fehmi Mehmeti

Guvernator 

Banka Qëndrore e Republikës së Kosovës