Foto: KALLXO.com

Zv.drejtori i Policisë së Ferizajt: Nuk dihen motivet e vrasjes që u krye nga zyrtari policor

S.Sadriu është personi i vrarë sonte, më 16.08.2024, në parkingun e një salle dasmash në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Ngjarja dyshohet se u krye në rrugën kryesore pak metra larg objektit ku viktima do të merrte pjesë në një aheng familjar. 

Ai u qëllua me armë zjarri të gjatë e zyrtare e i dyshuar për këtë rast, tashmë i arrestuar, është zyrtari policor F. Ramadani. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Rajonit të Ferizajt, Qazim Reka, tha se nuk dihen motivet e vrasjes.

Ai tregoi se polici ishte jashtë detyrës zyrtare, me rroba e veturë civile, por se e përdori armën e tij të punës, një armë të gjatë, për të kryer vrasjen. 

Në vendin e ngjarjes ekipet e Forenzikës mblodhën prova e Instituti i Mjekësisë Ligjore tërhoqi trupin nga vendi ku u krye vrasja. 

Dhjetëra dasmorë që ishin ftuar në aheng u panë jashtë objektit të restorantit. Disa prej tyre edhe do të intervistohen për të sqaruar rrethanat që çuan deri te vrasja që ndodhi në orët e mbrëmjes së sotme (16.08.2024). 

Shiritat e policisë, tre të tillë rrethuan një perimetër të gjërë e ato u larguan pak pas orës 22:00 dhe u liruan automjetet që ishin bllokuar për shkak të sigurisë.

E disa zyrtarë policorë mbetën ende aty për të marrë dëshmi të tjera nga rasti qe u shënua. 

Zyrtari policor F. Ramadani tashmë është në stacion policor në Ferizaj, aty ku edhe shërbente. 

Prokuroria e Ferizajt ka lëshuar urdhrin për ndalim prej 48 orësh për të ndërsa ekipet e Inspektoratit Policor të Kosovës u panë edhe në vendin e ngjarjes. 

Të njëjtit janë thirrur menjëherë pasi është pranuar informacioni për përfshirjen e zyrtarit policor dhe janë duke kryer intervistimin e të dyshuarit.