Mark Zuckerberg - Foto: REL/AFP

Zuckerberg përjashton mundësinë e ndalimit të reklamave politike

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg ka thënë se ai nuk mendon se është e drejtë që një kompani të censurojë politikanët ose lajmet në një demokraci.

Ai po mbante një fjalim në Washington DC pas kritikave mbi vendimin e Facebook për të mos ndaluar reklamat politike që përmbajnë të dhëna jo të sakta, shkruan BBC.

Ai shtoi se e kishte menduar ndalimin e të gjitha reklamave politike në platformat e tij, por besonte se ky vendim do të favorizonte politikanët që janë tani në detyrë dhe ata që media zgjedh t’u jap hapësirë.

Zuckerberg tha se edhe sikur ta kishte mbështetur idenë, nuk ishte e qartë se cili do te ishte kufiri i kësaj mase.

“Ne ose mund të vazhdojmë të mbështesim lirinë e shprehjes duke kuptuar ndërlikimet qe mund të sjellë  por duke besuar se rrugëtimi i gjatë drejt avancimit më të madh kërkon ballafaqimin me ide që na sfidojnë, ose mund të vendosim që kostoja është thjesht e përkohshme”, tha Zuckerberg.

“Dhe nëse ju pëlqen apo jo, unë mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë po vihet në rrezik dhe së bashku të mbështesim lirinë e shprehjes në këto kohë kritike”, shtoi ai.

Përgatiti: Senad Durguti