Foto: ZRrE

ZRrE vendos për çmimin e rrymës për vitin 2020

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vendos që mos të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike në vitin 2020.

Në seancën e cila është mbajtur sot, Bordi ka miratuar të Hyrat e Lejuara Maksimale (MAR) të operatorëve të Transmetimit/Tregut (KOSTT), Operatorit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizimit Universal (KESCO) me energji elektrike.

Të hyrat e vendosura për këto kompani për periudhën prill 2020 – mars 2021 është vendosur të jetë 268.9 milionë euro. Këto të hyrat mund të mblidhen me tarifat aktuale të energjisë elektrike.

Fillimisht propozimi i ZRrE ishte që të Hyrat e Lejuara Maksimale për vitin 2020 të jenë 273.3 milionë euro.

Sipas ZRrE-së, kjo shifër prej 268.9 milionë paraqet shumën që do të mbulohet nga tarifat e rregulluara të shitjes me pakicë, nga 1 prilli i këtij viti deri në fund të muajit mars të vitit 2021.

Propozimi fillestar i KESCO-s ka qenë që të hyrat maksimale të jenë 303 milionë euro.

“Me aplikimin e tarifave aktuale mbi përcaktuesit e faturimit të parashikuar për vitin 2020, priten të hyra të faturuara në vlerë prej 275.91 milionë euro”, thuhet në aplikacionin e KESCO-së.

Ndërsa, pasi ishte publikuar propozimi i ZRrE-së, KESCO kishte e kishte ulur kërkesën për MAR, në 284 milionë euro.

“Duke marr parasysh të lartë-thënat, propozimi përfundimtar për të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2020 për FSHU-në, të cilat duhet të konsiderohen nga ZRRE-ja janë 284.6 milion€”, thuhet në raportin me komente të dorëzuar nga KESCO në ZRrE.

Me këtë rast Bordi ka kërkuar nga operatorët që, bazuar në të hyrat e lejuara, të dorëzojnë sa më shpejt që është e mundur, kërkesat për tarifat e reja të cilat do të miratohen në seancën e ardhshme të Bordit, e që do të duhej të mbahej para përfundimit të kësaj periudhe të faturimit të energjisë elektrike.

Pjesë e shqyrtimit në këtë Seancë ka qenë edhe Amendamentimi i Rregullës së Taksave. 

“Qëllimi i kësaj Rregulle është që t’i specifikojë llojet dhe shumën e taksës të përcaktuar në Nenet 23 dhe 24 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me qëllim të mbledhjes së të hyrave për Rregullatorin”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së.

Pjesë e amendamentit që është aprovuar nga Bordi në këtë seancë ka qenë vlera e Taksës Fillestare të Licencës për Furnizim me energji elektrike, e cila nga 8 mijë euro sa ka qenë është vendosur të ulet në 2 mijë euro.

Po ashtu, Bordi ka shqyrtuar edhe disa kërkesa të kompanive, për shtyrje të afateve të vlefshmërisë së Autorizimeve Finale për ndërtimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit nga Burimet e Ripërtritëshme të Energjisë (BRE).

Këto kërkesa Bordi i ka aprovuar si të arsyeshme dhe që kanë mbështetje në legjislacionin në fuqi, me përjashtim të njërës e cila është shtyrë për një seancë të ardhshme kur pritet të sjellën dëshmitë e nevojshme të parapara me legjislacion.

Bordi ka aprovuar edhe një kërkesë për ndërtim të kapaciteteve gjeneruese për vet konsum nga panelet solare, në kapacitet prej 4.8 kW, në Komunën e Rahovecit, si dhe ka shqyrtuar një numër të ankesave të konsumatorëve.

Rregullatori propozon të mos ketë shtrenjtim të rrymës