ZRRE paralajmëron ankesë ndaj vendimit të gjykatës për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë për KALLXO.com se do të dorëzojë ankesë në Gjykatën e Apelit ndaj vendimit të Gjykatës së Prishtinës, e cila ka vendosur për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

“Me lejoni t’ju informoj se ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L – 006) do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2  të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim”, kanë thënë nga ZRrE.

Në përgjigje thuhet se pas ankesës së ZRRE-s, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe nuk mund të ekzekutohet.

“Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi  i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme””, tha Zyra e Rregullatorit të Energjisë për KALLXO.com

Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesë-padinë e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), për aprovimin e tarifave të reja.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.