ZRrE: Nuk kemi kompetenca t'i identifikojmë lidhjet e bizneseve

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Blerim Devolli ka arritur të përfitojnë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavat energji solare duke u fshehur mbrapa bizneseve të ndryshme të regjistruara në Maltë, vend i njohur për fshehje të përfituesve të fundit të bizneseve.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti.

Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016. Ndërsa, katër kompani të tjera kanë përfituar tarifa nxitëse prej 85.5 euro nga vendimi i datës 27 maj 2019.

Në bazë të listës së autorizimeve preliminare të publikuara në faqen zyrtare të ZRrE-së, figurojnë 6 kompani që e kanë lokacionin e njëjtë ku parashihet të ndërtojnë parkun solar. “Jeta në Kosovë” e ka pyetur ZRrE-në nëse ka informacion se cilat janë lidhjet në mes të kompanive që kanë aplikuar për ndërtimin e parkut solar në të njëjtin lokacion.

Por ata kanë thënë se nuk kanë kompetencë të identifikojnë lidhjet e kompanive.

“ZRrE, nuk ka kurrfarë kompetence të identifikojë lidhjet e kompanive, por në bazë të kornizës ligjore pas aplikimit i trajton, si subjekte juridike të themeluara në bazë të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, dhe pasi plotësohen të gjitha dëshmitë relevante i ka lëshuar edhe Autorizimit Preliminare”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së për “Jeta në Kosovë”.

Rregullatori është pyetur edhe nëse përbën shkelje ligjore, nëse këto kompani (“Devolli Group”, “Solar Gate”, “Alsi & Co-Kosovë” dhe “Bulding Constraction”) janë në pronësi të vetëm një pronari.

 

ZRrE-ja ka shtuar se gjatë gjithë kohës i ka trajtuar si projekte, ku për secilin projekt subjekti juridik është dashur të pajiset me pëlqimet dhe lejet e lëshuara nga institucionet relevante.

Në përgjigjen e tyre thuhet gjithashtu se ZRrE, në pajtim me Rregullën për Skemën mbështetëse në fuqi, është e obliguar të azhurnoj listën e aplikacioneve sipas Nenit 8, dhe në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi dhe vendimin e fundit ka azhurnuar edhe listën.

“Për më tepër Vendimi 1204 i dt. 27.011.2019 është pjesë e shqyrtimit gjyqësor dhe pas verdiktit final nga Gjykata, ZRrE do ti ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, përfundon kjo përgjigje.