ZRRE: Nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar propozimin fillestar për të hyrat e lejuara nga energjia që është 268 milionë e 989 mijë euro apo rreth 2.3 milionë euro më pak se viti i kaluar.

Propozimi fillestar i ZRRE-së është gati se i ngjashëm me shumën e vitit të kaluar, që nënkupton se çmimi i energjisë elektrike nuk do të shtrenjtohet në vitin që vjen.

“Të hyrat e Lejuara Maksimale të Furnizuesit me Shërbim Universal që mbulohen nga tarifat me pakicë të energjisë elektrike për vitin relevant tarifor do të jenë 268,989,325 euro”, thuhej në vendim.

Ky propozim për këto të hyra është veç fillestar, ndërsa ndërmarrjet energjetike në Kosovë mund të çojnë propozime në ZRrE për ta ndryshuar këtë.

Propozimet e mundshme që mund të dërgohen nga ndërmarrjet energjetike do të trajtohen nga ZRrE në mbledhjet e radhës.

Këtu mund ta gjeni propozimin fillestar të ZRrE-së.