Matësit për radiatorë
ZRrE miraton tarifat për Termokosin, çmimi mbetet i njëjtë sikur vitin e kaluar
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar tarifat e reja të konsumit për Termokosin për sezonin e ngrohjes 2024-2025, duke lënë kështu çmimin e njëjtë sikurse të vitit të kaluar.
Sipas vendimit të ZRrE, çmimi për konsumatorët shtëpiak do të jetë 0.76 cent për kilovatë orë, ndërsa për konsumatorët komercial do të jetë 0.95 cent për kilovatë orë.
Astrit Saraqini, udhëheqës i Departamentit për Energji Temike dhe Gaz në ZRrE tha se edhe këtë vit do të jenë dy lloje të tarifave, ato me matje të konsumit dhe ato me sipërfaqe të konsumit, çmimi për të cilat janë të njëjta.
“Ne i kemi dy lloje të tarifave. Tarifat me matje të cilat aplikohen tek të gjithë konsumatorët të cilët kanë paisje matëse, ku mund të implementohet matja e konsumit. Dhe pjesa tjetër janë tarifat pa matje, të cilat janë sipas sipërfaqes ngrohëse. Të hyrat shërbejnë si bazë për caktimin e tarifave. Këtë sezonë ka qenë karakteristikë dhe vështirësi shtesë për ne, për shkak të fillimit të matjes së konsumit nëpër ndërtesa kolektive me paisje matëse të cilat vendosen në radiator dhe me matës individualë ta quajmë të ngrohjes, të cilët vendosen tek ndërtesat me rrjet horizontal të brendshëm” – ka thënë Saraqini në mbledhjen e ZRrE-së.
Ndërsa kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Imer Fejzullahu, ka thënë se për këtë vit është me rëndësi është do të fillojë faturimi me matje, edhe pse jo për të gjithë konsumatorët.
“Mirëpo çka është me rëndësi, është që gjatë këtij sezoni do të fillojë faturimi me matje, që është lajm i mirë për gjithë konsumatorët dhe për neve. Do të jetë mundësi që ajo energji që e kursejnë, të kenë mundësi të rishpërndahet ose mundësia e kyçjes së konsumtaroëve të rinj në rrjetin e shpërndarjes” – tha Fejzullahu.
Po ashtu në këtë mbledhje u përcaktua çmimi maksimal për ankandin e erës prej 75 megavatë, që është 80.2 euro për megavat. Fejzullahu bëri të ditur se ministria do të organizojë ankandin.
“Gjithashtu çka është me rëndësi me e theksu, është përcaktimi i çmimit maksimal për 75 MW për energji nga turbinat e erës e cila pritet të organizohet nga ankandi i ministrisë, ZRrE-ja konform mandatit ligjor ka përcaktuar çmimin maksimal, që është 80.2 për megavat” – tha Fejzullahu.