ZRrE licencon operimin e tri hidrocentraleve në Deçan, njëri licencohet edhe pse është i shkyçur

Bordi i Rregullatorit për Energji në mbledhjen e nëntë vendosi që tri hidrocentraleve të kompanisë “KELKOS ENERGY” në grykën e Deçanit, “HC Bellaja”, “HC Deçan”, ” HC Lumbardhi 2″, t’u vazhdohet licenca e operimit për një periudhë një vjeçare në mënyrë që ky operator gjatë kësaj kohe të pajiset me leje mjedisore për këto hidrocentrale, të cilën leje nuk e posedon asnjëra prej tyre.

Këto tri hidrocentrale janë pajisur me licencë pasi kanë plotësuar kërkesat e ZRrE për t’u pajisur me certifikatë të përdorimit dhe kanë aplikuar për leje mjedisore.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRrE, Afrim Ajvazi ka dhënë edhe shpjegimet për kërkesën e kompanisë investuese “KELKOS ENERGY”. Ai ka thënë se operatori ka sjellë këto dy dokumente dhe se është konstatuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor se këto dy hidrocentrale plotësojnë kushtet teknike për operim.

“Ne kemi kërkuar që një hidrocentral “Lumbardhi 2” që t’i pezullohet licenca deri në kohën kur i përmbushë kërkesat tona, për njësitë tjera ne kemi kërkuar një afat 90 të marrë leje mjedisore dhe certifikatën për përdorim. Ky afat ka kaluar dhe me një kërkesë tjetër ne e kemi vazhduar këtë afat edhe për një afat tjetër 90 ditë. MMPH ka lëshuar certifikatë të përdorimit për Belajen dhe Deçani në një vendim ndërsa për Lumbardhi 2 në një vendim tjetër për shkak të specifikave. MMPH ka vendosur që tri hidrocentralet janë në rregull. Ne kemi propozuar që t’u lëshohet licencë një vjeçare deri kur ta marrin lejen mjedisore”, ka thënë Ajvazi.

Po ashtu anëtari i bordit Selman Hoti ka thënë se të gjitha diskutimet për këtë çështje janë bërë dhe nuk ka mbetur ndonjë gjë pa u thënë sepse ZRrE ka një kohë të gjatë që merret me shqyrtimet.

“Aq shumë kemi pasur punë me këto hidrocentrale për plotësimin e kushteve ligjore dhe procedurale. Ne i kemi shterë të gjitha bisedat për këto hidrocentrale. Unë propozoj që licenca t’i lëshohet për një periudhë një vjeçare”, ka thënë Hoti.

Po ashtu në këtë mbledhje është diskutuar edhe për hidrocentralin “Lumbardhi 2”, për të cilin në mbledhjen e mbajtur në muajin korrik nuk pati miratuar kërkesën e “KELKOS ENERGY” për shkak të mungesës së dokumenteve për kyçje legale në sistemin e energjisë elektrike.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në ZRrE, Afrim Ajvazi tha se specifikë e këtij hidrocentrali është shkyçja e tij nga rrjeti ndërsa operatori është pajisur me certifikatë të përdorimit dhe ka aplikuar për leje mjedisore sikurse edhe për dy hidrocentralet e tjera.

“Specifikë e këtij hidrocentrali është se është i shkyçur prej rrjedhës deri kur ta marrë certifikatën e përdorimit dhe të aplikojë për leje mjedisore. Tash MMPH ia ka lëshuar certifikatën e përdorimit dhe ka aplikuar për leje mjedisore. Ne propozojmë që t’i lëshohet licenca një vjeçare në mënyrë që gjatë kësaj kohe operatori të sjellë në ZRrE leje mjedisore dhe më pas t’i trajtojmë të gjitha hidrocentralet një lloj”, tha Ajvazi.

Ndërsa anëtari i bordit, Besim Sejfijaj ka thënë se ky hidrocentral nuk duhet të trajtohet sikur të tjerët për shkak se ata nuk kanë qenë të shkyçur.

Sipas Sejfijajt, ky hidrocentral së pari duhet të trajtohet si hidrocentral i shkyçur dhe pastaj të diskutohet për licencimin e tij.

“Së pari ky hidrocentral duhet të trajtohet si objekt ose si hidrocentral për kyçje dhe pastaj të diskutojmë për licencë. Ky objekt është i ndërtuar jashtë lejeve ndërtimore. Unë jam kundër për votimin e kësaj pike dhe jam kundër që t’i jepet licenca para kyçjes. Atëherë është dashur që të jetë në rend dite kyçja dhe licencimi, por jo licencimi para kyçjes”, ka thënë ai.

Anëtari tjetër i bordit, Izet Rushiti po ashtu tha se ZRrE-së i takon të vendos vetëm për licencim sepse sipas rekomandimeve të ministrisë janë plotësuar kushtet që të trajtohet si i tillë.

“Ne e kemi përpara licencimin e këtij hidrocentrali dhe jo atë për kyçje. Ky ka aplikuar për leje mjedisore dhe e ka marrë certifikatën e përdorimit dhe mendoj se duhet të vendosim vetëm për licencim sepse vetëm ajo na takon neve”, ka thënë Rushiti.

Kryesuesi i bordit të ZRrE, Arsim Janova ka thënë se çështjet për të cilat ky rregullator nuk është vendimmarrës nuk duhet të diskutohen.

“A ka ndonjë gjë që mund ta kërkojnë nëse duhet, para licencimit. Nëse është në rregull gjithçka atëherë vazhdojmë me procedura. Dhe nëse ministria ka vendosur të ia lëshojë ato leje atëherë ne mund ta trajtojmë sikur hidrocentralet e tjera sepse ne nuk mund të diskutojmë për vendime të tjerë kujt”, ka shtuar kryesuesi i bordit të ZRrE.

E në këtë mbledhje u vendos që edhe hidrocentrali “Lumbardhi 2” të licencohet sikurse dy hidrocentralet e tjera, për një periudhë një vjeçare në mënyrë që këto operatori gjatë kësaj kohe të pajiset me leje mjedisore.

Operimi i Lumbardhit pa leje është ngritur si çështje edhe në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.

Në debatin “Lumbardhi në Gypa” të emisionit ‘Jeta në Kosovë’, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi premtoi se vetëm një ditë pas debatit do t`ia dërgojë Zyrës së Rregullatorit për Energji një shkresë më të cilën e informon që kompania “KelKos Energy” nuk i plotëson kushtet ligjore për të operuar me hidrocentralet në Lumbardh të Deçanit.

“Nesër do të dërgojë letrën në ZRrE më të gjitha informatat”, tha Matoshi.

Këtë premtim ministri Matoshi e ka mbajtur dhe ua ka dërguar shkresën ZRrE-së, përmes së cilës e ka njoftuar se “KelKos Energy” nuk i ka përfunduar të gjitha procedurat administrativo-ligjore pranë MMPH-së për projektin “Ndërtimi i Hidrocentraleve në Lumbardh të Deçanit” dhe si rrjedhojë nuk janë plotësuar kriteret ligjore për operim.

Përfaqësuesi i ZRrE-së, Afrim Ajvazi në emision ka premtuar se në momentin kur pranojnë një shkresë zyrtare nga MMPH-ja se “KelKos Energy” nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të operuar, ata do t`ia ndërpresin operimin.

“Le t`i dërgon qato nëse ekzistojnë, sepse ju kemi drejtuar që 10 herë. Absolutisht nëse vjen një shkresë prej Ministrisë, Bordi menjëherë ka me e ndërpre operimin e atij gjeneratori. Po ta garantoj edhe pse është përgjegjësi e Bordit”, ka deklaruar Ajvazi.

Kompania, e cila po synon të investojë në Komunën e Pejës ia ka hedhur edhe paq me dy raportet e inspektorateve të cilat e denonconin për shkelje. KELKOS u bë temë debati pas nismës për të ndërtuar hidrocentral mbi lumin Lumbardh të Pejës ndërsa BIRN zbulon se gjykata e Prishtinës vjetërsoi njërën nga çështjet e ngritura ndaj kësaj kompanie.

Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar një hulumtim që tregon vjetërsimin e lëndëve në gjykatë që kanë të bëjnë me kompaninë ZRrE-së nuk lejon operimin e ‘KELKOS Energy’ në hidrocentral, i kërkojnë plotësimin e dokumenteve.

Vjetërsohet lënda ndaj kompanisë që planifikon të investojë miliona në hidrocentrale

BERZh vështirëson financimin e hidrocentraleve në Ballkan

Planet për hidrocentral në Lumbardh nxisin reagime

A po rrezikojnë hidrocentralet zhdukjen e rrjedhave të lumenjve?

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.