Ilustrim

ZRrE: Katër komunat e veriut nuk janë përfshirë në kalkulimin e çmimeve të energjisë

Katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, nuk janë përfshirë në kalkulimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), në kuadër të propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Ymer Fejzullahu, kryetar i bordit të ZRrE-së, ka thënë sot se ZRrE-ja nuk ka të drejtë të marrë vendim për këtë çështje.

“Kjo është çështje që ZRrE nuk ka të drejtë të merr vendim për shkak të vendimit të gjykatës dhe në kalkulimin nuk është përfshirë”, ka thënë ai.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë po raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

Qytetarët e katër komunave me shumicë serbe, përkatësisht Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveqanit që nga viti 1999 nuk e kanë paguar energjinë elektrike që e kanë shpenzuar, në KEK dhe KEDS.

Deri në vitin 2017, qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës e kanë paguar energjinë që e kanë shpenzuar qytetarët e katër komunave me shumicë serbe. Pagesa është bërë përmes faturave të energjisë, pasi ZRRE-ja në kalkulimin e tarifave e njihte si humbje të energjisë dhe ajo humbje u faturohej qytetarëve që ishin pagues të rregullt të energisë.

Por, në vitin 2017, Gjykata kishte vendosur që të pezullojë vendimin e Zyrës së Rregullatorit që kosto e furnizimit të veriut me rrym t’i faturohet qytetarëve. Pas këtij vendimi, ZRRE-ja ishte obliguar që të heq këtë kosto nga tarifat e energjisë dhe njëkohësisht të lirojë çmimin e energjisë elektrike për 3,5%.

KOSTT-i për disa kohe kishte vazhduar të tërheq energji nga sistemi energjetik rajonal duke shkaktuar çrregullime në matjen e kohës në BE përmes orëve digjitale.

Më vonë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) kishte marrë obligim që për tre muaj të paguajë 4 milionë euro për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Në qoftë se i referohemi një periudhe të ardhshme 3 mujore projeksionet janë rreth 4 milionë euro për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës. Konsumi i energjisë elektrike në muajt e verës pritet që të jetë më i ulët”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.

Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, kishte miratuar rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

ZRrE-ja ka propozuar që çmimi i energjisë për konsumin mbi 600 kilovat të dyfishohet, ndërsa 600 kilovatet e parë do të kenë tarifë të njëjtë për gjithë qytetarët.

Tarifat për biznese dhe 600 kilovatët e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Kurse, tarifa për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh është dyfishuar.