ZRrE jep detaje se pse i dënuan me miliona euro KEDS dhe KESCO

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka gjobitur sot me 8.4 milionë euro Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe me 2.7 milionë euro Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në një përgjigje për KALLXO.com tha se gjobat kanë qëllim ‘disiplinimin’ e këtyre dy të licencuarave.

“Ne e kemi përmbyll një proces të monitorimit dhe në bazë të atij monitorimi konform gjetjeve, bordi i ZRrE-së ka marrë vendim për masën administrative – gjobë. Qëllimi i kësaj mase nuk është të kemi ndëshkim në raport me KEDS dhe KESCO, por qëllimi është disiplinimi i këtyre dy të licencuarve për shkak se gjatë periudhës së krizës energjetike janë evidentuar disa shkelje , siç thuhet në raport” – tha Fejzullahu për KALLXO.com.

Ai theksoi se monitorimi i KEDS dhe KESCO ka qenë për vitin 2021 me fokus në periudhën e krizës energjetike.

Sipas raportit të monitorimit, KESCO kishte rrezikuar sigurinë e  furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Kosovë.

Ndërkaq sipas raportit tjetër për KEDS, ai nuk kishte prokuruar energji elektrike për mbulimin e humbjeve siç parashihet me dispozita ligjore dhe nuk kishte ushtruar përgjegjësitë e dhëna sipas legjislacionit që të siguroj energjinë elektrike për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe shërbimet ndihmëse.

KALLXO.com ka kontaktuar me KEDS dhe KESCO për të komentuar vendimin e ZRrE-së, por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Raporti i ZRRE: KESCO rrezikoi sigurinë e furnizimin me energji elektrike në Kosovë