ZRrE iu jep afat një vjeçar për kryerje të punëve investitorëve të hidrocentraleve

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mbledhjen e parë për vitin 2020-të ka marrë vendim që operatorëve ekonomik “Hidroline”, “MATKOS Group”, “Dy Korriku”, t’iu shtyjë afatin për një periudhë 12 mujore në mënyrë që t’i përfundojnë punimet e nisura.

KALLXO.com transmetoi dirket mbledhjen e Bordit të ZRrE-së – LINK 

Të gjitha vendimet u votuan njëzëri nga anëtarët e Bordit të ZRrE-së.

Operatorit “Hidroline”, i janë aprovuar dy kërkesa për dy hidrocentrale në rajonin e Mitrovicës, për ‘HC Albaniku 1’ dhe ‘Albaniku 4’.

Operatorit “MATKOS Group”, i janë aprovuar dy kërkesa për dy hidrocentrale në rajonin e Shtërpcës, për ‘HC Sharri’ dhe ‘HC Shtërpcë’.

“Dy Korriku”-t, i është aprovuar kërkesa për hidrocentralin në Doganaj në Kaçanik për periudhën 12 mujore deri në përfundim të punimeve.

Ndërsa kërkesën e operatorit ‘Dino Energy’, ZRrE ia shtyu afatin për një periudhë gjashtë mujore deri në pajisjen me leje ujore dhe atë ndërtimore.

Udhëheqësi i Departamentit Ligjor dhe të Liçencimit në ZRrE, Afrim Ajvazi, për operatorin “Hidroline” tha se operatori ka bërë kërkesë që t`i shtyhet afati për përfundim për shkak se i janë shtyrë punimet, sepse janë ankuar banorët për dëme në mjedis.

Sipas Ajvazit, Komuna e Mitrovicës ka themeluar një komision të veçantë, i cili ka kontaktuar se “Hidroline” është duke punuar sipas standardeve dhe nuk ka shkaktuar dëme në mjedis.

“Me 15 janar 2020 kompania ‘Hidroline’ ka bërë kërkesë që t’i shtyhet afati për ndërtimin e hidrocentralit Albaniku 1 në pjesën e Mitrovicës. Kjo kompani ka projekt për katër hidrocentrale në Mitrovicë, dy vetëm se kanë përfunduar. Kërkesa është për Albaniku 1, pasi banorët janë ankuar në komunën e Mitrovicës se po ndikon në mjedis ky hidrocentral. Komuna ka themeluar një komision të veçantë për të parë ndikimin në mjedis, sipas banorëve projektet kanë zvogëluar ujin e pijshëm si dhe kanë dëmtuar ambientin. Komisioni ka konstatuar se hidrocentralet janë sipas të gjitha standardeve. Kërkesa është që investitorit t’i vazhdohet kërkesa edhe për një vit në mënyrë që t’i lejohet investitorit ta përfundojë punën”, tha Ajvazi.

“Situata është e njëjtë sikurse të Albaniku 1 edhe te Albaniku 4. Drejtoria e Urbanizmit në komunën e Mitrovicës i ka konfirmuar kompanisë, po e citoj ‘I konfirmohet kompanisë Hidroline vazhdimi i validitetit të lejeve ndërtimore dhe në afat 1 vjeçare të vazhdojë punimet’”, vazhdoi më tej ai.

Situatë pak më ndryshe pati nga operatori ekonomik “Dy korriku”, për hidrocentralin në Doganaj të Kaçanikut.

Sipas Ajvazit, këtij operatori i është shtyrë përfundimi i punimeve për shkak të ridestinimit të tokës bujqësore në atë ndërtimore.

“Ka bërë kërkesë që t’i jepet edhe një vit ta përfundojë hidrocentralin për shkak të ndërrimit të destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore, dje për këtë shkak se investitori nuk ka mundur ta përfundojë hidrocentralin. Sipas investitorit projekti është më shumë se 70% i përfunduar dhe kërkon që t’ i jepet afat edhe për një vit që ta përfundojë. Dhe ne si departament ligjor kemi propozuar që t’i lejohet edhe një periudhë 12 mujore që t`i lejohet përfundimi pasi i kemi konsultuar dhe vlerësuar të gjitha dokumentet nga të gjitha institucionet”, tregoi Ajvazi.

Ajvazi për operatorin “MATKOS Group” tha se vonesat e punimeve nuk kanë qenë në kompetencat e investitorit, por e kanë vonuar protestat e qytetarëve dhe ndërrimi i pushteteve komunale.

Ai tha se kërkesa e “MATKOS Group” ka qenë për shtyerje të afatit për shkak se operatori është ballafaquar me protesta të shumta nga banorët e zonës dhe me probleme me dokumentacion.

“Kërkesa e Matkos Group me kapacitet 6.5 mgw është për projektin ‘Sharri’. Ndërkohë për shkak të ndryshimit të pushtetit komunal, komuna ka anuluar të gjitha lejet e investitorit, poashtu qytetarët kanë protestuar dhe sigurisht që kjo është diskutuar në Kuvend Komunal dhe pastaj pala fillon me ankesat dhe i drejtohet MAP. Pasi nuk ka qenë në kompetencat e kësaj ministrie MAP e ka bartur kërkesën në MMPH përmes rrugëve ligjore dhe MMPH ka marrë vendim që operatori është duke punuar sipas standardeve të kërkuara mga MMPH zbatimin që e ka marrë”, tha Ajvazi.

MMPH pas shqyrtimit të aktit të komunës kishte vlerësuar se është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Pala/ Invetstitori ka kërkuar përsëri nga MMPH ta respektojnë vendimin e vet, pala pas vështirësive që i keni parë edhe në media ka bërë dy kërkesa nga Policia e Kosovës që t’i asistojnë. Investitori ka bërë kërkesë në MI qe t’i lejojë shtrirjen e gypave në magjistralen Shtërpcë – Prizren, Ministria e infrastrukturës i ka dhënë leje që t’i shtrijë gypat, por kjo leje ka vonuar ndonëse pala e ka bërë me 30 gusht, leja i është dhënë këto ditë”, vazhdoi më tutje ai.

Ajvazi tha se të gjitha institucionet relevante kanë vlerësuar se investitori është në përputhje të legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu ai përmendi edhe inspektimin e fundit të MMPH-së pas ankesave të banorëve të komunës së Shtërpcës.

“Të fundit MMPH e ka bërë një inspektim për shkak të ankesave të banorëve, ka konstatuar qe investitori nuk ka rrezikuar ujin e pijshëm me punimet në hidrocentral. Të gjitha institucionet edhe lokale edhe qendrore kanë thënë që ky projekt mund të përfundojë”, përfundoi ai.

Ndërsa kërkesa e operatorit “Dino Energy” ishte më e veçantë se kërkesat e operatorëve të tjerë ekonomik.

Sipas Ajvazit ky operator ka pasur autorizim fillestar për t’u pajisur me leje ujore dhe ndërtimore dhe për një periudhë një vjeçare nuk i ka marrë. Autorizimi fillestar i operatorit ka skaduar me 30 dhjetor dhe tashmë ka bërë kërkesë që afati t’i shtyhet edhe për një periudhë gjashtë mujore, pra deri me 30 qershor 2020.

“Ky ka vetëm autorizim fillestar për një vit, nuk është në fazën e ndërtimit fare, ne i kemi dhënë autorizim fillestar por pala nuk i ka sjellë. Leje ujore dhe leje ndërtimore nuk ka, dhe ka afat edhe katër muaj që t’i sjellë, ne e kemi analizuar kërkesën e palës dhe ne si zyre ligjore kemi qenë pak emocional që ne si zyre të mos bëhemi pengesë, ne i kemi rekomanduar bordit që t’i japë edhe një periudhë 6 mujore në mënyrë që t’i sjellë dhe të mos thotë pala qe ne e kemi penguar, por nëse nuk i sjellë të mos jemi ne arsye por të ketë tjera”, deklaroi Ajvazi.

ZRrE miratoi njëzëri kërkesën e Dino Energy për ‘HC Lepenci 2’ për gjashtë muaj.

Bordi në këtë Seancë ka aprovuar edhe Programin e Pajtueshmërisë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Qëllimi kryesor i Programit të Pajtueshmërisë është që gjatë ofrimit të shërbimeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të sigurohet që punonjësit dhe menaxhmenti i OSSH, respektojnë parimet e objektivitetit, transparencës dhe mos diskriminimit duke siguruar qasje të barabartë dhe transparente për të gjithë pjesëmarrësit e tregut të energjisë elektrike.
Bordi gjithashtu ka shqyrtuar edhe një numër të ankesave të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me rregullimin e sektorit dhe menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji.