Mbledhja e Bordit të ZRrE-së, Foto: Kallxo.com

ZRRE i reagon Lëvizjes Vetëvendosje, fjalorin e tyre e quan sulm ndaj institucionit

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka reaguar ndaj njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, të publikuar dje, në lidhje me parashtrimin e padisë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër vendimit të ZRRE-së për tarifat nxitëse për Burimet e Ripërtritshme të Energjisë (BRE).

“E drejta për të apeluar vendimet e ZRRE në Gjykatë i takon secilit qytetar dhe këtë të drejtë e ka shfrytëzuar edhe Z. Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Por fjalori i shprehur nga mllefi për shfuqizimin e masës së përkohshme nga Gjykata e Apelit, në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje është sulm ndaj institucionit të pavarur siç është ZRRE”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.

ZRRE konsideron se fjalori fyes dhe denigrues ndaj një institucioni të pavarur, të themeluar nga Kuvendi i Republikës Kosovës, cenon integritetin dhe funksionimin e tij.

“Prandaj si i tillë është i papranueshëm dhe i rrezikshëm për pavarësinë dhe funksionimin profesional të ZRRE”, vazhdon reagimi.

Në reagim thuhet se Rregulla për Skemën Mbështetëse përcakton parimet aktuale të mbështetjes së energjisë elektrike të prodhuar nga BRE-të, e cilat sipas ZRRE-së përndryshe nuk do të ishin në gjendje që të konkurojnë në tregun me shumicë.

Gjatë shqyrtimit të projekteve të BRE-ve për pranim në Skemën Mbështetëse, ZRRE-ja i referohet cakut të detyrueshëm specifik të teknologjisë 2020 të përcaktuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Aktualisht, Tarifa nxitëse është e vetmja skemë mbështetëse në Kosovë që përdorë stimujt financiar për të arritur caqet për BRE, të përcaktuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Por ZRRE ka shtuar se megjithatë, për shkak të kufizimeve financiare dhe mungesës së reagimit të shpejtë ndaj çmimeve në rënie të teknologjisë së BRE-së, efikasiteti i skemave mbështetëse aktuale do të rishqyrtohet.

“Në mënyrë që të vazhdohet tutje me një skemë të re mbështetëse për BRE-të, bazuar në kushtet konkuruese, Ministria për Zhvillim Ekonomik duhet të analizojnë të gjitha aspektet relevante në mënyrë që të përcaktojnë një rrugë të përshtatshme për të vazhduar tutje në një transformim gradual drejt mekanizmave mbështetës të tregut”, vazhdon reagimi i ZRrE-së.

ZRRE i ka bërë thirrje akterëve politik që të mos ndërhyjë në pavarësinë funksionale të ZRRE-së të garantuar me ligj.

“Në të kundërtën ZRRE do të detyrohet të veprojë për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj përmes rrugëve ligjore”, përfundon reagimi.

Dje, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se përfaqësues të partisë kanë dërguar në Gjykatë edhe një parashtresë në lidhje me kontestin me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ku VV-ja kërkon mosshtrenjtim të energjisë elektrike.

Vetëvendosje dërgon parashtresë në Gjykatë për ZRrE në lidhje me rritjen e çmimit të energjisë

Në muajin nëntor të vitit 2019, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka marrë vendim që të rrisë sasinë e energjisë solare e cilat do të përfitojë tarifa nxitëse. Tashmë sipas vendimit të ri të Rregullatorit janë caqe prej 20 megavatëve që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me një çmim prej 85.5 euro për megavat.

“Tarifa nxitëse do të vlejë vetëm për aplikuesit të cilët janë të pajisur me vendim mbi Autorizimin Preliminar të lëshuar Rregullatorit të Energjisë Elektrike”, thuhet në vendimin e ZRrE-së.

Deri në këtë vendim, vetëm 10 megavat kanë qenë pjesë e tarifave nxitëse, pra me çmim të garantuar, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë të obliguar t’i nënshtrohen çmimit të tregut.

KALLXO.com ka gjetur se në mesin e kompanive të pajisurura me vendim mbi Autorizimin Preliminar, e që do të përfitojnë nga vendimi i ZRRE-së, janë edhe “Devolli Group”. Kjo kompani është në mesin e aplikantëve që kanë marrë autorizime preliminare dhe që janë në listën e pritjes me kapacitete prej 3 megavatëve.

Në një reagim pas këtij vendimi kompania “Devolli Grup” ka thënë se nuk janë të vetmit ata që po përfitojnë nga ky vendim.

“Me këtë rast, ne duam të potencojmë se ”Devolli Group”, si kompani vendore, hyn më mesin e aplikuesve për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të rrymës me kapacitet të vogël prej 3 MË, kurse ka kompani të huaja të cilat kanë marrë autorizime për kapacitete prej 135MË (mbi 100 herë më të mëdhaja se kapacitetet tona), por për çudi nuk përmenden fare në këta artikuj”, thuhet në reagimin e ‘Devolli Group’, të cilin mund ta lexoni të plotë në këtë LINK.

Lokacioni ku pritet të ndërtohet parku energjetik i Devollëve është në “Madanaj, ZK Kusar, Komuna e Gjakovës”. Në të njëjtin lokacion autorizim preliminar për ndërtim të parkut për energji solare ka marrë edhe “VITA ENERGY”. Edhe kjo kompani do të përfitojë nga vendimi i ZRRE-së për ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit prej 3 megavatëve.

Përfitues tjetër është kompania “VBS” Sh.p.K me 3 megavatë. Edhe kjo kompani e ka të njëjtin lokacion për ndërtimin e parkut solar, pra në Madanaj të Komunës së Gjakovës.

KALLXO.com kishte raportuar që Lëvizja Vetëvendosje kishte ngritur padi në lidhje me vendimin e 27 nëntorit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas LVV-së, vendimi i marrë më 27 nëntor nga Bordi i ZRRE-së, për një skemë të re mbështetëse me tarifa nxitëse, duke u garantuar disa prodhuesve të para­caktuar të energjisë së ripër­të­rishme blerjen e energjisë me çmim shumë më të lartë se vlera e tregut, nuk ka bazë ligjore dhe përbën shkelje të rëndë të ligjeve në fuqi, cenon shtetin e së drejtës dhe përligj haraçin që qytetarët janë shtrënguar t’ua paguajnë monopolistëve oligarkë.

Në muajin janar të këtij viti, Gjykata e Prishtinës e ka pezulluar vendimin e bordit të ZRrE-së për rritjen e sasisë së energjisë solare që do të kenë të garantuar shitjen e energjisë së prodhuar me çmim të paracaktuar prej 85.5 euro. Kërkesën për pezullim të këtij vendimi e kishte bërë Lëvizja Vetëvendosje.

Kundër këtij vendimi kishin dalë edhe Ministria e Zhvillimit EkonomikAmbasada gjermane në Kosovë, USAID dhe Zyra e BE-së në Kosovë.