Foto: Ilustrim

ZRRE i reagon Avokatit të Popullit që i vlerësoi diskriminuese tarifat e rrymës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka reaguar ndaj opinionit të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) i cili vlerësoi se vendimi për vendosjen e bllok-tarifave ka elemente diskrminuese.

Në reagimin e ZRRE-së thuhet se Avokati i Popullit gjatë procesit të rishikimit të tarifave të energjisë elektrike nuk kishte ofruar ndonjë koment për të kontribuar në proces.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë është shprehur e habitur me opinionin e Avokatit të Popullit që ndër të tjera thuhet se “rivendosja e bllok-tarifës në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës ka qenë e kuptueshme dhe e mirëpritur nëse do të vendosej për të kursyer energjinë elektrike, por kjo nuk paraqitej në arsyetimin e ZRRE-së’.

“Ndër të tjera, në opinionin e Institucionit të Avokatit të Popullit pretendohet që rivendosja e bllok-tarifës në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës ka qenë e kuptueshme dhe e mirëpritur nëse do të vendosej për të kursyer energjinë elektrike, por kjo nuk paraqitej në arsyetimin e ZRRE-së. Institucioni i Avokatit të Popullit në opinionin e tij, shihet që fare nuk ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore, dhe fton Institucionin e Avokatit të Popullit t’i referohet Raportit Konsultativ për Strukturën Tarifore të ZRRE-së, në faqe 19 dhe 20 të raportit”, thuhet në reagim.

ZRrE ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vazhdim do të hartojë një raport më të detajuar lidhur me vlerësimin e opinionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin e strukturës së re tarifore.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është pezulluar nga Gjykata e Apelit.

Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës, i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Deri tek vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit erdhi pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.