Ilustrim, Foto: Pixabay

ZRRE hedh në diskutim publik draft-rregullën për vetëkonsumatorët me burime të ripërtëritshme

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se në pajtim me kompetencat dhe obligimet e përkufizuara në Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, ka vendosur në konsultim publik draft rregullën për vetëkonusmatorët me burime të ripërtëritshme.

Sipas ZRRE-së, kjo rregull përcakton parimet dhe mekanizmin e rregulluar për mbështetjen e konsumatorëve të energjisë elektrike që dëshirojnë të gjenerojnë energji elektrike në ambientet e tyre bazuar në teknologjinë e ripërtëritshme për përdorim vetanak, ndërtimin e kapaciteteve vetëgjeneruese, parimet e mbështetjes së Prosumatorëve dhe procedurën e aplikimit për t’u bërë Prosumator.

Në draft rregullore përfshihet edhe skema mbështetëse e faturimit Neto, tarifa e Prosumatorëve si një kontribut adekuat në uljen e ndikimit të tyre në koston e sistemit energjetik, kërkesat minimale teknike për instalimet e teknologjisë së ripërtëritshme të Prosumatorëve dhe rregullimi i mekanizmit të Prosumatorëve që veprojnë bashkërisht për banesat/ndërtesat kolektive.

ZRRE-ja po ashtu ka vendosur në konsultim publik edhe dokumentin teknik të përgatitur nga OSSH në lidhje me kriteret teknike të kyçjes për konsumatorët vetëprodhues.

ZRRE ka ftuar të gjitha palët që të japin kontributin e tyre përmes komenteve të dërguara me titull “DRAFT/RREGULLA PËR VET-KONSUMATORËT ME BURIME TË RIPËRTRITSHME” deri të enjten me 17 nëntor 2022 ora 16:00, në adresën elektronike info@ero‐ks.org ose në adresën postare Rr. Bekim Fehmiu kati 2, 10000 Prishtinë, Kosovë.

Këtu gjeni detaje nga draft-rregulla për vetëkonusmatorët me burime të ripërtëritshme.

Derisa, këtu kriteret teknike për kyqje të gjeneratorëve për vetëkonsum në rrjetin e OSSH-së.