ZRrE ende nuk e ka pranuar vendimin e gjykatës që anuloi pagesën e rrymës për katër komunat me shumicë serbe
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ende nuk e ka pranuar vendimin zyrtar të Gjykatës Themelore në Prishtinë për kundërligjshmërinë e vendimit që t’u paguhet rryma elektrike katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017.
Sipas Rregullatorit të Energjisë, sapo ky vendim të pranohet nga ana e tyre, bordi do ta shqyrtojë dhe do të vendosë së si të procedohet më tutje.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, ju njoftoj se ZRrE ende nuk e ka pranuar vendimin zyrtar nga Gjykata dhe posa ta pranoj, Bordi do ta shqyrtojë dhe do të vendosë se si do të procedojë më tutje këtë çështje, për çka publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për KALLXO.com.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Zyrës së Rregullatorit të për Energji (ZRrE) që t’i paguhet rryma elektrike katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës për periudhën 2012-2017.
Ky vendim i gjykatës vjen pas ankesës së dorëzuar nga Avokatit të Popullit.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se KEDS obligohet të kthejë te konsumatorët e faturuar për komunat serbe, shumën në vlerë prej mbi 40 milionë eurosh.
“Anulohet si i kundërligjshëm vendimi i ZRRE-së dhe detyrohet që të ndërmarr veprime që e obligojnë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) që të bëjë kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës dhe atë për periudhën kohore nga 06.02.2012 e deri më 20.10.2017, në vlerën prej 40.855.480 milionë euro. Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të dërguar në adresë të KALLXO.com.
Ky vendim i Gjykatës së Prishtinës mund të apelohet në Gjykatën e Apelit.
Duke vepruar sipas padisë së Avokatit të Popullit, Gjykata e Prishtinës në shtator të vitit 2017 vendosi të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të datës 6 shkurt 2012.
Zyra e Avokatit të Popullit sipas detyrës zyrtare kishte iniciuar hetimet lidhur me faturimin e paligjshëm të energjisë elektrike të shpenzuar në veri qytetarëve të pjesës tjetër të Kosovës.
Avokati i Popullit kishte gjetur se rreth 5.24 për qind e kërkesës për energji, apo rreth 8 milionë euro ishin shpenzuar nga komunat në veri të Kosovës kryesisht të banuara me shumicë serbe, ndërsa shpenzimet e kësaj energjie i ishin faturuar pjesës tjetër të qytetarëve të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit kishte dërguar pyetje në ZRrE nga të cilët kishte pranuar përgjigje se vendimi i atakuar përcakton nivelin e reduktimit të humbjeve të energjisë në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri.
Raporti i Avokatit të Popullit citon se nga përgjigjet që ka pranuar nga ZRrE-ja u është thënë se rryma e shpenzuar në veri të Kosovës konsiderohet si humbje komerciale dhe se ka qenë e domosdoshme që kjo humbje të mbulohet duke ua faturuar qytetarëve në mbarë territorin e Kosovës në pamundësi për t’u faturuar shpenzimi i energjisë në veri.
Energjia elektrike e shpenzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kap shumën prej 12 milionë euro. Që nga paslufta deri në vitin 2017, këto mjete janë paguar nga qytetarët e pjesës tjetër të Kosovës, ku faturat e tyre ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.
Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.
Vetëm në vitin 2017, sipas një përgjigjeje të KOSTT për KALLXO.com, operatori serb EMS kishte inkasuar 9.6 milionë euro.
“Konkretisht për vitin 2017 në mënyrë të kundërligjshme EMS ka inkasuar 9.6 milion euro”, thuhej në përgjigjen e KOSTT.
Nga viti 2008, kur edhe është shpallur pavarësia e Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme Serbia ka shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se ka grumbulluar rreth 65 milionë euro të hyra.
Në muajin maj të këtij viti, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) kishte marrë obligim që për tre muaj të paguajë 4 milionë euro për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Në qoftë se i referohemi një periudhe të ardhshme 3 mujore projeksionet janë rreth 4 milionë euro për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës. Konsumi i energjisë elektrike në muajt e verës pritet që të jetë më i ulët”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.
Kuvendi i Kosovës, me 61 vota për, kishte miratuar rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.
Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.
“Shfrytëzimi i mjeteve të KOSTT, sipas rekomandimit të Komisionit për një periudhë të paraparë tranzitore 6 mujore brenda së cilës parashihet që të zgjidhet çështja e veriut, mund të bëhet nga fitimet e akumuluara të KOSTT ndër vite”, thuhet në përgjigjen e KOSTT për KALLXO.com.
Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.
“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.
Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.
“Të gjitha dokumentet që kërkohen me Rregullën për licencimin e aktiviteteve të energjisë janë dorëzuar”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Edhe pse kanë kaluar rreth 4 muaj që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar për shkak se bordi i ZRrE-së është jofunksional.
Kujtojmë se Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.
Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.
Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).
Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.
Gjykata e Prishtinës anulon vendimin e ZRrE-së për pagesën e rrymës për katër komunat veriore
Çka thotë vendimi i Gjykatës për pagesën e rrymës në 4 komunat në veri? (DOKUMENT)