Foto: Ilustrim

ZRrE e apelon në Supreme vendimin për pezullim të rritjes së çmimit të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) e ka apeluar në Gjykatën Supreme vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të rrymës.

Po ashtu, ZRRE ka njoftuar se i është drejtuar edhe gjykatave kompetente për udhëzime se si të zbatohet vendimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“Duke qenë se Aktvendimet nuk përmbajnë sqarime se si të zbatohen ato, duke krijuar paqartësi të mëdha të zbatimit, ZRRE i është drejtuar Gjykatave kompetente për udhëzime se si të zbatohet Aktvendimi për Shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ZRrE-së në Facebook.

Tutje në këtë njoftim është bërë e ditur se në mbledhjen e 20 majit, bordi i ZRRE-së, në një mbledhje te jashtëzakonshme, ka marrë vendim që të zbatojë Aktvendimin e Gjykatës, duke shtyrë ekzekutimin e vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“Pas pranimit të Vendimit, Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) me energji elektrike ka kërkuar udhëzime nga ZRRE lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, i cili ka rrjedh nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit. KOSTT, po ashtu përmes një reagimi publik, është shprehur se situata e krijuar pas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, rrezikon sigurinë e furnizimit me energji elektrike si dhe marrëveshjen e kyçjes me ENTSO-E”, thuhet në njoftim.

Tutje ZRRE ka bërë të ditur se është duke u konsultuar me të gjitha institucionet relevante dhe palët tjera të interesit, që sa më shpejtë të gjejë zgjidhje për mënyrën e implementimit të vendimit.

Më 18 maj, Gjykata e Apelit ka vendosur ta pezullojë vendimin sipas të cilit ishte paraparë rritje e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve.

Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës, i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Deri tek vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit erdhi pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

PDK në kërkesën të cilën e kishte paraqitur në gjykatë kishte konsideruar se vendimi i ZRRE-së do të shkaktonte pasoja të pariparueshme për qytetarët në Kosovë.

Ndërsa propozimi i kësaj partie ishte kundërshtuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë me pretendimet se këtij institucioni do t`i shkaktohej një dëm i pariparueshëm në rast se pezullohet vendimi për shtrenjtimin e energjisë.

E lidhur më këtë kërkesë në prill të këtij viti vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë përmes gjyqtarit Kreshnik Kaçiu.

Vendimi të cilin e ka siguruar KALLXO.com e ka pezulluar përkohësisht rritjen e tarifave të energjisë elektrike për qytetarët pasi e ka konsideruar si të bazuar kërkesën e PDK-së.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës