ZRrE do të bëjë shqyrtimin e rregullt të tarifave të energjisë në vitin 2023

Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të bëjë shqyrtimin e rregullt të tarifave të energjisë në vitin 2023 për të vendosur në lidhje me tarifat e energjisë elektrike, nëse do të ketë rritje, ulje apo do të jetë i njëjtë çmimi i energjisë elektrike. Kjo u bë e ditur gjatë prezantimit të raportit të përformancës për 2023 të këtij institucioni.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka shqyrtuar sot Planin e Performancës për vitin 2023 të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, i cili u prezantua nga kryesuesi i bordit të këtij institucioni, Ymer Fejzullahu.

Ai tha se gjatë vitit 2023, ZRrE do të bëjë shqyrtimin e rregullt të tarifave të energjisë dhe shqyrtimin e të hyrave maksimale të operatorëve.

Fejzullahu shtoi se tashmë kanë hapur edhe procesin e shqyrtimit të tarifave për periudhën 5-vjeçare dhe se janë duke zhvilluar dy procese njëkohësisht.

“ZRrE bazuar në ligj ka përgatitur planin e performancës prej vitit 2023, i cili përmban qëllimet dhe synimet e ZRrE-së. Në këtë plan janë të përshkruara objektivat, rezultatet e pritura dhe afatet në të cilat ne presim me i përfundu. Në kuadër të planit të punës janë aktivitete që janë paraparë si dhe një mori rregullash. Po ashtu aktivitet tjetër është paraparë integrimi i tregut në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është paraparë edhe shqyrtimi i tarifave si një proces i rregullt ZRrE, i cili bën shqyrtimin e të hyrave maksimale çdo vit”- tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, tha se ai bazuar në atë çfarë prezantoi Fejzullahu nuk do ta votojë planin e performancës së ZRrE-së për vitin 2023. Kjo pasi sipas Mujës plani nuk përmban objektiva të bazuara në të ardhmen dhe se nuk ka indikatorë të saktë që do të “masin” përformancën.

“Nuk kemi asnjë indikator asnjë cak, ekzistojnë objektiva të qarta por janë të bazuara në të kaluarën. E keni përmend integrimin e tregut Kosovë – Shqipëri, por cilat janë barrierat dhe kur do të bëhet kjo sepse përmend ndër vite. Rritja e konkurrencës dhe rregullimi i çmimeve në treg. Për këtë për shembull, ju mendoni që nga një situatë në mungesën e konkurrencës po thoni që do të ketë rritje të konkurrencës pra sikur po nisemi në një situatë dëshirore që vetëm kemi dëshirë të kemi konkurrencë te tregut”- tha mes të tjerave Muja.

“Plani duhet të pasurohet. Unë e kuptoj që ju jeni të brendshëm dhe i keni në kokën tuaj por duhet t’i cekni në letër. Unë tani kuptova shumë nga ajo çfarë po më shpjegoni por ato duhet të jenë në letër”- tha Muja.

Edhe deputetja Mimoza Kusari Lila pati kritika ndaj planit dhe tha se nuk do ta votojë atë.

Ajo tha se në plan të përformancës duhet të jenë të përfshira edhe hapat që do të ndërmerren ndaj kompanive që nuk kryejnë obligimet financare në tregun e energjisë.

“A keni vërejtje a keni dërgu letër tek KEDS dhe KESCO për moskryerjen e obligimeve financiare ndaj ndërmarrjeve tjera? Kjo ndodh pasi që këto nuk janë të shthurura dhe këto kur kanë borxhe dhe obligime e kanë prioritet njëra tjetrën. A keni të dhëna do të kërkoni llogari nga këto kompani për këtë vit”- tha Mimoza Kusari – Lila.

Kryesuesi i bordit të ZRrE-së iu përgjigj deputetes Kusari – Lila.

“Po, kam dërgu letra, dhjetëra letra, edhe KOSTT-it i kemi dërgu letër që nuk ia kanë kry obligimet KESCO dhe KEDS që të dërgojë letër tek organet kompetente por nuk e kam bërë”- shtoi Ymer Fejzullahu.

Tarifat e reja të energjisë kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.