ZPS dorëzon versionin më pak të redaktuar të aktakuzës në rastin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) sot ka dorëzuar versionin më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Aktakuzën mund ta gjeni në këtë LINK.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Më 22 korrik 2021, gjykatësi i procedurës paraprake, përmes dy vendimeve miratoi pjesërisht mocionet e mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e ndryshuar më 3 shtator 2021.

Më 23 dhjetor 2022, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshim të aktakuzës me qëllim që të përfshijë një numër akuzash të reja, konkretisht qendra ndalimi të tjera në komunën e Suharekës, incidente të reja të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme në Gjilan, si dhe incidente të reja të pjesëmarrjes personale të të akuzuarit në krimet për të cilat akuzohet.

Pas hedhjes poshtë të apeleve të Thaçit dhe Veselit kundër këtij vendimi prej panelit të Gjykatës së Apelit më 22 mars 2022, ZPS-ja dorëzoi versionin e redaktuar publik të aktakuzës së ndryshuar më 29 prill 2022. Më 22 korrik 2022, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi, pjesërisht, kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit dhe gjithashtu urdhëroi ZPS-në që deri më 30 shtator 2022 të parashtrojë aktakuzën e ndryshuar më tej, me informacion shtesë lidhur me akuzat aktuale.

Informacioni shtesë ka të bëjë me emrat e autorëve të drejtpërdrejtë të krimeve, viktimave dhe vendndodhjeve përkatëse në paragrafet konkrete në aktakuzën aktuale.

Më 29 shtator 2022, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për tërheqjen nga aktakuza të pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt dhe urdhëroi ZPS-në që të pasqyrojë këtë tërheqje të akuzave në aktakuzën e ndryshuar më tej, e cila u dorëzua më 30 shtator 2022.

Një version më pak i redaktuar i aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Aktualisht, kjo është aktakuza në fuqi për këtë çështje.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë veriore. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Aktakuza përfshin  6 pika për krime kundër njerëzimit dhe 4 pika për krime lufte si:  përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave, arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Seancat e paraqitjes së parë të Veselit dhe Selimit u mbajtën më 10 dhe 11 nëntor. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të krijuara nën bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Këto institucione janë përkohësisht të themeluara me mandat dhe juridiksion të caktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera në Kosovë për periudhën 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Krimet pretendohet se janë kryer nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë sipas legjislacionit të Kosovës.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.