Zotimi i Vjosa Osmanit: Në listën zgjedhore nuk do të ketë njerëz me precedent penal

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në debatin “KALLXO Pernime” ka folur për iniciativën e saj ‘Guxo’ si dhe mundësinë e një liste të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Osmani ka folur për kriteret që do t`i ketë lista, duke thënë që nuk do të lejoj njerëz me precedent penal.

“E para dhe më e rëndësishmja, nuk duhet të jenë njerëz me precedent penal, njerëz të cilët kanë dëshmuar që e vendosin interesin personal apo të rrjeteve biznesore kriminale para interesit të vendit, njerëz profesionist që ndërtojnë imazh të mirë jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit, por lista duhet të jetë rezultat i dakordimeve”, tha ajo.

Osmani ka thënë që do të kenë shumë kujdes që zgjedhjen e njerëzve që do të jenë pjesë e iniciativës së saj.

“Në statutin tonë ne e kemi paraparë që kriter paraprak për anëtarësi, jo vetëm për t`u regjistruar por edhe për anëtarësi të më pastajme është që të mos të kesh precedent penal, pra jo vetëm për me pas pozita pastaj në qeveri e diku tjetër”, theksoi ajo.

Osmani është pyetur edhe për njerëzit e dënuar brenda Lëvizjes Vetëvendosje, parti me të cilën ka thënë se do të bashkëpunojë.

“Ajo është tjetër sepse është dënim me kusht, dhe siç e dini me kodin penal, dënimi nuk krijon pasoja juridike”, tha ajo.

Osmani tutje në këtë intervistë nuk ka dhënë datë se kur do të takohet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, mirëpo ka theksuar se kjo do të ndodhë ‘shumë shpejtë’.

Në Kosovë ende nuk është caktuar datat e zgjedhjeve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Vjosa Osmani e cila aktualisht mbanë pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes dhe kryeparlamentares para pak ditësh ka bërë publik sloganin e iniciativës së saj ‘Guxo’ me të cilin synon të garojë në zgjedhje.

Vjosa Osmani tregon a po takohet me Albin Kurtin