Zotimi i prokurorit për rastin Dehari: Do t’i shkojmë deri në fund

Prokurori Besim Kelmendi është shprehur i bindur në gatishmërinë e këtij institucioni që ta hetojë në detaje vdekjen e Astrit Deharit.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kelmendi foli lidhur me hetimet e nisura së fundmi për vdekjen e mistershme të aktivistit, Astrit Deharit.

“Nëse ka elemente të veprës penale jo vetëm një por edhe dhjetë e njëqind duhet me i ndjek dhe kjo ka me shku deri në fund. Nëse ka frikacakë në prokurori ata duhet me e lëshu punën por unë e di që në prokurori ka guxim”, tha ai.

Ai shtoi se mendimet e ndryshme të ekspertëve janë element për hetim.

“Nëse ju keni eskpertiza që kanë përfundime të ndryshme është obligim ligjor që të qartësohet situata”, tha Kelmendi.

Për këtë temë sonte flasin: Besim Kelmendi, Prokuror; Riza Shillova, Policia e Kosovës; Hilmi Jashari, Ombudsperson; Rifat Marmullaku ,OSBE; Fatmire Haliti, QKRMT dhe  Kreshnik Gashi, KALLXO.com.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë:

Historiku i vdekjes së Astrit Deharit

Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në fillim të nëntorit të vitit 2016.

Ai po mbahej në paraburgim në lidhje me dyshimet për sulmin i cili kishte ndodhur në gusht të vitit 2016, ndaj Kuvendit të Kosovës.

Tre muaj pas këtij sulmi në qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana të paqarta kishte vdekur 26 vjeçari Astrit Dehari.

Deklaratat e para pas vdekjes së Deharit ishin se i njëjti kishte përdorur medikamente dhe kishte vrarë veten, ndërsa më pas deklaratat ndryshuan në atë se i njëjti kishte probleme me frymëmarrje.

Dy vjet më pas, vdekja e Deharit ende ka mbetur mister edhe pse në fillim dolën disa versione se Astrit Dehari i kishte marrë jetën vetes.

Prindërit e Deharit së bashku me subjektin politik të cilës i takonte djali i tyre Astriti, kanë ngritur gjatë gjithë kohës pikëpyetje duke e drejtuar gishtin pushtetit, madje duke e quajtur vdekjen e Astritit edhe si vrasje.

Për t`i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astritit, prindërit dhe avokati Tomë Gashi kërkuan ekspertizë nga Instituti i Qendrës Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.