Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Zotimi i ministrit Blerim Reka: Do ta mbajë vetëm pozitën e ministrit

Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka nuk do ta mbajë asnjë pozitë tjetër udhëheqëse, përveç atë të ministrit.

Kështu ka bërë të ditur vet Reka, i pyetur nga KALLXO.com se sa pozita do t’i mbajë sa do të jetë ministër i Qeverisë Kurti.

“Që nga 2018, më ka përfunduar pozita e prorektorit në UEJL, pra para 2 vitesh, që do të thotë se tash e 2 vite nuk e ushtroj atë. Aktualisht jam vetëm ministër i Integrimeve Evropiane dhe nuk ushtroj asnjë pozitë tjetër udhëheqëse”, ka bërë të ditur Reka për KALLXO.com.

Megjithatë, Reka nuk ka treguar nëse nuk do ta ushtrojë profesionin e profesorit.

Sipas biografisë të postuar në webfaqen e Ministrisë që ai e udhëheq, Reka është Profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe i Drejtës së BE-së.

Ai poashtu ishte Prorektor për Shkencë dhe Marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Europës Jug – Lindore, Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Administratës Publike, Dekan i Fakultetit Juridik në këtë universitet, si dhe profesor në Fakuletin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në drejtim të të gjithë ministrave që ushtrojnë edhe pozita të tjera, përveç të ministrit dhe është duke pritur përgjigje.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, e cila është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, kur është pyetur në konferencën e parë para gazetarëve, kishte thënë se do të veprojë ‘sipas ligjeve në fuqi’.

Kurse, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se do ta pezullojë punën e saj si asistente në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Vjosa Osmani ngrin pozitën e asistentes në UP

www.kallxo.com