Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Zotimi i Memli Krasniqit: Në listën e PDK-së nuk do të ketë njerëz me aktakuza

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se shefi i partisë së tij e ka përnime luftimin e korrupsionit.

Ai ka thënë se në listat e ardhshme për deputet, nuk do të ketë njerëz me aktakuza dhe probleme me ligjin.

“Unë nuk muj me ua mush mendjen sot askujt, se nuk muj as me ua mush mendjen me votu PDK-në, por një gjë mund të ua them publikisht dhe me zotimin e plotë, Kadri Veseli e ka përnime (luftimin e korrupsionit), dhe nuk është e lehtë me thënë atë që e ka thënë ai, për një parti të madhe e cila është në pushtet dhe pretendon të jetë në pushtet dhe unë jam qind për qind i sigurt se do të jetë, por këtë herë do të jetë duke e udhëhequr Qeverinë”, ka thënë Memli Krasniqi në RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se në PDK nuk ka më njerëz me aktakuza, për këtë tha se kanë marr masa.

“Fatmirësisht janë vetëm tre njerëz në PDK me aktakuza dhe që kanë pozicione publike. Gjemani edhe tre vetë të tjerë me aktakuza, ata shkuan, gjemini tash”, tha ai gjatë debatit.

“Tre njerëz kanë pas aktakuza dhe një deputet, por mandati i deputetit është mandat qytetar dhe ky mandat mori fund. Ju zotohem se në listën zgjedhore, në listën e PDK-së, nuk do të ketë njerëz me çfarëdo lloj aktakuze apo ballafaqim tjetër me drejtësinë”, ka thënë ai.

Aktualisht, zyrtarë të lartë të PDK-së përfshirë Adem Grabovcin, Besim Beqajn e Zenun Pajazitin po përballen me procese gjyqësore.