Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimi i kandidatit të pavarur për gratë në krye të drejtorive në Prizren

Milazim Lushaj, kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Prizrenit në debatin KallxoPernime është zotuar se së paku 50 për qind e drejtorive në këtë komunë do të udhëhiqen nga gratë, nëse ai e merr besimin e  qytetarëve më 17 tetor.

“Për ta përdorur metodën që e kam përdorur në familje, vajzave i kam dhënë përparësi, së paku 50 për qind e femrave që ekzistojnë, punojnë në Prizren por edhe që janë të gatshme të vijnë nga diaspora, do t’u japim mundësi”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë karrigen e të parit të Prizrenit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Prizrenit: Afrim Tejeci nga AKR; Anton Quni nga LDK; Milazim Lushaj, kandidat i pavarur; Mytaher Haskuka nga LVV; Shaqir Totaj nga PDK dhe Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit: Afërdita Morina nga LDK; Afërdita Spahiu nga AKR; Dafina Bllaca nga PDK; Lirije Bytyqi nga Nisma Socialdemokrate; Mimoza Bushrani nga LVV; Ngadhjesa Bresa nga Lista GUXO dhe Shqipe Kastrati nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.