Zotimi i kandidatit të LDK-së për emërimin e grave nëpër drejtori të Komunës së Novobërdës

Kandidati tjetër për kryetar të komunës së Novobërdës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Ymeri ka thënë në Debat Pernime se gjysma e drejtorive do të udhëhiqet nga gratë, nëse ai bëhet kryetar.

“Për neve do të jetë kënaqësi natyrisht me pas gra të zonja të cilat vijnë në institucionin komunal, na bashkohen neve në këto ekipe gjatë kohës së fushatës dhe natyrisht t’i inkuadrojmë, do të jetë kënaqësi jo vetëm një e dy me numra por pse jo edhe të gjitha. Mos ta teproj me thënë ndoshta më shumë, por sigurisht gjysmën po, do t’i emëroj ”, theksoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Novobërdës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Novobërdës: Abdyl Gashi nga LVV dhe Bajrush Ymeri nga LDK. Në garë për të parin e Novobërdës janë edhe Sasa Milosevic nga Lista Srpska dhe Selatin Nuhiu nga PDK por të njëjtit nuk kanë ardhur në debat.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Novobërdës: Ervenita Isufi dhe Shqipe Mustafa nga LDK dhe Kaltrina Zeqiri dhe Lumturije Salihu Ramadani nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.