Zotimet e ministrit Aliu për modernizimin e linjave hekurudhore

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, së bashku me përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Sekretariati i Komunitetit të Transportit, kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë folur për ecurinë e rehabilitimit gjeneral dhe modernizimit të linjës hekurudhore.

Aliu projektin për rehabilitimin e linjës hekurudhore e ka cilësuar si një projekt mjaftë me rëndësi për Kosovës e që pritet të vazhdoj dhe me dy faza të tjera.

“Përmes kësaj linje dalim në Shkup, por natyrisht që këto projekte do të përcillen dhe me projekte të tjera të rehabilitimit edhe për në perëndim”, ka thënë Aliu.

Tutje ai ka shtuar se pikën e stacionit hekurudhor që gjendet në Miradi të Fushë Kosovës do ta shndërrojnë në një pikë të rëndësishme të mallrave.

“Këtë pikë do ta shndërrojmë në një pikë të rëndësishme të mallrave. Përpos rëndësisë së brendshme, ky projekt ka rëndësi edhe në kyçje në rajon”, ka thënë Aliu.

Tutje ai ka shtuar se pritet që Kosova të ketë projekte të reja të cilat do të jenë në bashkëpunim me BE-në.

Madje ai ka thënë se transporti në Kosovë pritet që të zhvillohet. Aliu ka thënë se kyçja në portën e Durrësit do t’i mundësoj Kosovës edhe kyçje në transportin detar e madje do të zhvillohet edhe transporti ajror.

“Kyçja në portën e Durrësit do të na mundësoj edhe kyçje në transportin detar. Duke e pasur aeroportin afër do të kyçemi edhe në transportin ajror”, tha Aliu.

Një fjalë rasti në këtë konferencë pati dhe përfaqësuesi nga BE-ja, i cili është koordinator i komunitetit të transportit për gjashtë vende të Ballkanit, Matej Zakonshek.

Ai po ashtu e vlerësoi këtë projekt si të rëndësishëm për Kosovën, por edhe për Evropën.

Zakonshek tha se një nga prioritetet e tyre është që të modernizojnë transportin në rajon.

Ai ka thënë se cilësia e transportit në rajon ka shkuar mbrapa vitet e fundit dhe për ta përmirësuar këtë duhet që të ketë modernizim të hekurudhave.

Sipas përfaqësuesit të BE-së, Prishtina ka potencial që të ofrojë shumë për rajonin.

Madje ai tha se në stacionet e vendit ka hapësirë sa të kalojnë 30 deri në 40 trena brenda një kohë të shkurtër.