Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zotimet e kandidatëve për Dragashin në lidhje me digjitalizimin e shërbimeve komunale

Kandidatët për kryetar/e të Komunës së Dragashit kanë dhënë zotimet e tyre për digjitalizimin e shërbimeve komunale, nëse arrijnë që të udhëheqin komunën.

Kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit, Xhevxhet Tahiri nga radhët e Ballit Kombëtar tha se do të jenë transparent.

“Ka mangësi pasi komuna është e varfër dhe e vogël. Unë në të ardhmen, çdo sen do të publikohet dhe gjithçka në rregull dhe e hapur. Certifikatat do të mund t’i marrim online, me siguri prej pranverës”, tha ai.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit dhe kryetari aktual, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani ka thënë se kanë pasur ngecje për shërbimet online.

“Për marrjen online të shërbimeve kemi ngecur pak por megjithatë mbetet detyrim në të ardhmen ta funksionalizojmë”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kandidatja për kryetare të Komunës së Dragashit, Kaltrina Salihu nga LVV tregoi se çfarë kanë prioritet në programin qeverisës për digjitalizimin e shërbimeve.

“Prioritet e kemi përmirësimin e administratës komunale. Digjitalizimi i shërbimeve administrative është pikë e parë e këtij prioriteti”, tha ajo.

Ndërkaq, kandidati për kryetar të Komunës së Dragashit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Bexhet Xheladini tha se këtë çështje e kanë në mesin e prioriteteve.

“Edhe ne në planin e punës për mandatin e parë e kemi paraparë të bëjmë diçka për digjitalizimin e shërbimeve që qytetarët të marrin shërbime online do të përmirësojmë dukshëm transparencën dhe llogaridhënien”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Dragashit: Agron Gashi nga AAK; Bexhet Xheladini nga LDK; Kaltrina Salihu nga LVV; Shaban Shabani nga PDK dhe Xhevdet Tahiri nga BKK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Dragashit: Afrore Vjeseli nga LVV; Dijamina Lutfiu nga PDK dhe Afrore Vjeseli LVV dhe Xhylferie Bahtijari Beqiri nga LDK.

Ky artikull hulumtues është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli hulumtues është përgjegjësi e vetme e Open Data Kosovo dhe e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyrojnë qëndrimet e Bashkimit Evropian.