Foto: Presidenca e Kosovës.

Zotëria i Parë i Kosovës mori pjesë në aktivitetet e Samitit të Inteligjencës Artificiale në Paris

Me ftesë të Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, Prindon Sadriu, Zotëria i Parë i Kosovës mori pjesë krahas presidentes Vjosa Osmani, në aktivitetet e Samitit të Inteligjencës Artificiale.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të vizitës zyrtare të presidentes Osmani në Paris, të realizuar më 10 e 11 shkurt 2025, si dhe me ftesë të posaçme të Zonjës së Parë të Francës, Prindon Sadriu ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh në kuadër të Samitit për Veprimin për Inteligjencën Artificiale.

“Nën organizimin e Zonjës së Parë të Francës, znj. Brigitte Macron, z. Sadriu, së bashku me disa zonja të para nga vende të ndryshme të botës u mirëprit nga Rektori i Katedrales, Olivier Ribadeau Dumas dhe zonja e parë Macron. Z. Sadriu fillimisht ka vizituar instalacionet e artit në Katedralen Notre Dame dhe më pas edhe instalacione tjera qindra vjeçare të mbyllura për publikun”- thuhet në njoftim.

Në kuadër të kësaj vizite, thuhet më tej në njoftim, Sadriu ka qenë i ftuar në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, ku krahas presidentes Osmani, morën pjesë krerë të shteteve dhe qeverive, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat.

Po sipas njoftimit, gjatë kësaj vizite, së bashku me presidenten Osmani, Sadriu ka marrë pjesë edhe në Seancën Plenare të Samitit për Veprimin për Inteligjencën Artificiale, me fokus në diskutimin e zgjidhjeve të cilat vënë zhvillimet revolucionare të teknologjisë në shërbim të njerëzimit.

Së fundmi, sipas njoftimit të Presidencës, me ftesën e të ngarkuarit me punë të SHBA-së në Francë, së bashku me presidenten Osmani, dhe Zotëria i Parë, ka marrë pjesë edhe në pritjen e organizuar për nder të delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance, që u mbajt në Ambasadën e SHBA-së në Francë.