“Një fije shprese një fije shkrepse”, i Ag Apollonit Ilustrimi: KALLXO.com

‘Zonja prej zjarri që shpëtoi gruan prej guri’

Historia fillon dhe mbetet tempull me “zonjën prej zjarri që shpëton gruan prej guri”. “Një fije shprese një fije shkrepse” i Ag Apollonit gërshëton rrëfimet ekzistenciale të dy grave që humbën tragjikisht të dashurit e tyre në luftën e fundit në Kosovë.

Ky kuptim metaforik rilidhë dy ekstreme të së njëjtës tragjedi, Pashkën gruan që u vetëflijua  për të dy bijtë e vrarë në masakrën e Mejës, dhe Ferdonijën që humbi katër djemtë dhe bashkëshortin më 27 mars të vitit 1999, por që vendosi të ruajë fijën e fundit të shpresës për të shndërruar vetën dhe fotografitë në muze kolektiv.

Për mos jetuar asnjëherë në të tashmen, për të vijuar të kaluarën, Ferdonije Qerkezi të gjitha ditët e javës i bëri te shtuna, me pesë anëtarët e vrarë, që qëndrojnë në mendjen e saj të gjallë kthehen në kohën e drekës, dhe fjalët përsëritën në retroperspektivë.

Dhe Pashke Markun, qe dogji veten, kujtimet dhe fotografitë, fijen e fundit të shpresës e shkrepëzoi, për dy bijtë e saj që për katër vite i priste, por që arriti vetëm t’i vajtonte tek guri varrit.

Data 27 për dy nënat doli të jetë numri i simbolik i lidhjes së dy tragjedive për të treguar sa unike dhe të fuqishme janë historitë e secilës familje, “marsin e mbrapshtë të Ferdonijës” dhe “prillin e përgjaktë të Pashkës” muajin prill në të cilin serbët vranë më së shumti persona përkatësisht 4,082.

Në aspektin figurativ numri dy mund të zëvendësohet dy djemtë e Pashkës dhe numri shtatë me anëtarët e familjes së Ferdonijës katër djemtë dhe bashkëshortin e vrarë si dhe dy nuset që jetojnë ende.

27 prilli dëshmon fatin kolektiv të 376 civilëve të masakruar nga forcat paramilitare serbe në  Mejë apo fshatin që ka me më së shumti viktima nga lufta e fundit, dhe 27 marsin që dëshmon fatin vetjak të secilës familje shqiptare në ekzekutimin e pamëshirshëm të familjarëve pa dallim, në “vitin gjenocidal 1999” që mblodhi të vrarë rreth 13 mijë persona.

Në dokuroman, Ferdonija vishet me petkun e personazhit mitologjik të Niobës dhe Pashka mbahet si personazhi biblik me petkun krahasues të Shën Marisë.

Veprën e Eskilit “Niobën”, Ag Apolloni e përgjithëson në Ferdonijën, ashtu sikur Nioba shndërrohet në gur që vajton fëmijët e saj të vdekur. Gjakovën e bën Olimp, gurin  e zëvendëson me Ferdonijën gruan prej guri të gjallë dhe Pashkën zonjën prej zjarri që ka gurin “vetëflijues” përkujtimor të secilës ditë kur trupat e pagjetur mbesin  në vitin 1999.

Në vrullin kërkues të “estetikës së mungesës”, ashtu si Ag Apollonit i interesojnë veprat e humbura më shumë se ato të mbetura, i cili para se të fillonte me shkronjëzat  të rrumbullakësonte nyjet e dy tragjedive, ndaloi në dorëshkrimet e Eskilit të mbetura në vargje gjysma.

Për Apollonin mitet nuk janë kurrgjë tjetër veçse përgjithësime primordiale që herë pas here gjejnë konkretizime në jetën aktuale.

Aq sa autori lidh dy personazhet aq edhe i krahason në njërën anë Pashkën që nuk kishte pranuar të jepte shfaqje teatrale, madje të vetmen që e kishte dhënë kishte qenë premierë, pa reprizë pa publik. Teksa Ferdonija ka repriza dhe publik të përditshëm por autori kupton që shfaqja pa publik është shfaqja e vërtetë e saj.

Rreshtat nisin ekzistencën pa planifikim nga ftesa që Apolloni të vizitoj Ferdonijën në xhirimet e dokumentarit për përvjetorin e 27 marsit të 99-es. “Rri dhe vajton”, ishte fjala e parë e mpiksur që zbërthej ekuacionet e tjera të tragjedisë që mbledhi të bëmat e dy grave, me emërues të përbashkët dhe barazoi me shpresën dhe shkrepsën.

Udhëtimi i Apollonit për në Gjakovë tek Olimpi i Ferdonijës dhe Pashkës solli ngjarje dhe fakte të krimeve të luftës. Për të frymëzim ishte ndalja tek një pompë e benzinës, që shpërfaqi mënyrën si Pashka shuajti dhimbjen në tokën e cila mbante djemtë e saj dhe që ishte e papërballueshme për mineralet dhe dheun,  sa që vendosi të kalonte në dimensionet e qiellit.

Fija e shpresës së Pashkës ishte “po ata janë gjallë”, mirëpo mori fund pasi priti katër vite, ashtu siç Apolloni arrin të prozojë se “dritë kishte por ajo se shihte”.

Nga përshkrimi i autorit zëri Pashkës mori përmasë të paparashikueshme saqë refuzoi shiringë sepse edhe dhimbjen donte ta përjetonte dhe pastaj të fundërronte në hi.

“Mos më jepni ineksi! Mos ma hiqni dhimbtën, se asht dhimbta e e djemve t’mi”. “Kush qe lot ma prishtë dekën”- janë fjalët e nënës teksa ballafaqohej me humbjen e dy djemve të saj.

Vaji për djemtë Milanin dhe Gjovanin ishte mort edhe për rreth 400 trupat e tjerë të vrarë nga forcat paramilitare serbe, ashtu si autori e quan “kryevepër të katilëve”.

Libri përveç anës artistike vë në pah anën faktike përfshirë deklaratat e Zoran Rashkoviqit paramilitar i grupit Cakalli në Masakrën e Mejes për vrasjet, përdhunimet, djegiet dhe hedhjet në gropa masive. Ideja e së cilit ndiqej me hakmarrjen, “një për njëqind” dhe “katër për katërqind”, duke i quajtur shqiptarët racë inferiore me arsyetimin se trupat i hedhin në gropa masive, jo sepse është krim por sepse meritojnë të trajtohen vetëm prej krimbave.

Prej detajeve përshkruhen skena të qarta të viktimave që serbët kishin hedhur një mbi një në grumbuj ku nuk dihej koka cilit trup i përkiste.

Pashka mbajti premtimin “Nëse nuk më kthehen djemtë të gjallë, do ta djeg vetën”, pas tre vjetësh kishte thënë se nuk do të ishte keq sikur ta vriste vetën para Kuvendit të Kosovës “Por, jo nuk asht mire, se ka shumë njerëz, m’shohin e nuk m’lanë”, dëshpërimin i nënës autori e frazon, “kur digjet shpresa nuk ka rëndësi ku hidhet hini”.

Ashtu si Apolloni shprehet,“ Këputet një pe, bie një marionetë, mbaron  një jetë”. Gjumi është vëllau i vetë vdekjes, por megjithatë nuk është vetë vdekje. Kurse asaj i duhet vetë vdekja. Katër vjet kishte jetuar me rutinën e shpresës. Shtatë ditë me rutinën e dëshpresës. Tiktaku i akrepave në terr ecte drejt orës së revoltës. Një revoltë ndaj jetës, vetës, robit dhe Zotit. Ku ishte drejtësia? Katërqind burra në mes livadhit ishin korrur, e nga malet askund një është në për be. Katërqind burra në mes të fushës ishin masakruar, e nga qielli asnjë rrufë”.

Mirëpo autori vë edhe vetën personazh duke krijuar dhe fuqizuar realitetin e luftës, kohën kur duhej të shmangej  darka ose lajmet dhe momentet kur tragjedia zgjaste më shumë se “një edicion lajmesh”, pamjet kur ushtarët ushqeheshin nga lugët e mbushura me borë që lyenin bukën e thatë, derisa krijonin shtresën e bardhë e cila rrallë herë priste momentin të shkrihej dhe zbuste copëzën.

Autori që nga afër si vizitorët e tjerë kishte parë ritmin e jetës së Ferdonijës që shkon në drejtimin e kundërt me ritmin e shoqërisë në të cilën ajo bën pjesë, e përkufizon atë si gur vajtues të mitit grek  një Niobë që vajton niobët e saj.

Apolloni arrin të zbulojë dhe veshë figurativisht detaje me arsye nga muzeu i Ferdonijës të cilat ajo natyrshëm i shkëmben për gjithë vizitorët, mirëpo që për të iu krijuar kuptim artistik njëkohësisht dhe informacion duhet mjeshtri dhe trajtim i balancuar i figurave letrare, ashtu si autori mundohet të mos e teprojë.

Fjalët që bashkëshorti i kishte thënë Ferdonijës, Apolloni arrin t’i përafrojë me fjalët e Hamletit ndaj Horacit.

“Në qoftë se vërtet na do me zemër, largoje lumturinë për ca kohë dhe me pahir merr frymë te kjo botë për ta treguar historinë tonë”- kishte thënë bashkëshorti.

Nga kjo shkrimtari arrin të rizbulojë se kjo mund jetë përgjigjja që Ferdonija rrëfen e përjeton të njëjtën ngjarje për persona të ndryshëm dhe si mund ta ripërsërit për secilin person që e viziton.

“Vorret ua kemi ba gati, po trupat ku me i gjetë. Kaiherë thom: ishalla i gjej. Po ma shpesh thom: ishalla ata m’gjejnë mue”… “vdekja nuk ndërrohet si këmisha por është më afër se këmisha”, janë këto fjalët e fijës së fundit shpresës së mbetur të Ferdonijës që filtrohen mes të kaluarës, pa shkelur të tashmen.

Halimin, Armendin dhe Ardianin nuk ia kthyen më, ndërsa Artanin dhe Edmondin i varrosi në Çabrat në vitin 2005, prej atëherë kishte vendosur dy pjata më pak, por meqë në mendjen e saj i takon çdo ditë, ajo vendosi t’i mbajë të gjithë.

Fjala e autorit Ag Apolloni thotë, “Fotografitë shtriheshin si një dhimbje e gjatë, nga shtëpia deri te Qeveria, si klithmat e nënës mitike, nga mali Silil deri në Olimp, Ferdonija kur donte t’i shihte mbllyte sytë dhe lëvizte shiritin e kujtesës, në kujtesën e saj përditë kthehej shiriti filmik”.

Autori nuk ndalet me kaq sepse mesazhi i tij është i qartë madje mund të merret edhe në trajtë përgjithësuese për të gjitha nënat që humbën familjarët e tyre në luftë: “Zonja prej zjarri shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë ka ende shpresë!

Dokuromani i Ag Apollonit “Një fije shprese një fije shkrepse”, promovohet në Hagë të Holandës, më 17 shkurt në simbolikë të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.