Zona Ekonomike në Vushtrri përplas partitë politike

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme me vetëm një pikë të rendit të ditës, vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike në Lumadh.

Kjo seancë e cila është thirrur nga Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nuk është përkrahur nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosja.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë thënë se kanë pranuar ankesa nga bizneset të cilët nuk janë përzgjedhur të jenë pjesë e Zonës Ekonomike, dhe se këto duhet të shqyrtohen.

Asamblisti i PDK-së, Ilmi Azemi ka kërkuar shtyerjen e kësaj seance duke shtuar se nuk ka nevojë për një nguti të tillë.

“Ne konsiderojmë se kjo nuk është me urgjencë sepse ka ende punë në parkun industrial dhe nuk mund të vendosen bizneset aty. Ne si PDK konsiderojmë se nuk i plotëson kushtet ligjore pasi që nuk është respektuar afati minimal ligjor për mbajtje e që është ligjërisht tre ditë pune. Ftesa është dërguar pa material dhe pa rekomandimin e Komisionit”, ka thënë Azemi.

Gresa Muli nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ngutia për votimin e këtij projekti është dyshuese.

“Mendoj që është ndër projektet, mos të them, projekti më i madh sa i përket këtij mandati dhe duhet me qenë të gjithë anëtarët e Kuvendit. Ngutia për votimin e këtij projekti për të cilin Lëvizja Vetëvendosje! ka punuar shumë në këto tri vite, ishte shqetësuese dhe dyshuese. Andaj ne kërkojmë që të shtyhet kjo seancë”, theksoi Muli.

Ndërkaq, kryetari Xhafer Tahiri ka kërkuar që të mos politizohet kjo temë duke thënë se vendet e punës të cilat priten të hapen me vendosjen e bizneseve në Parkun e Biznesit në Lumadh në Vushtrri, nuk presin.

“Ky projekt pritet të krijoi 813 vende të reja punës, çdo vonesë është shumë për personat që presin të nisin punën. Kjo nuk mund të pres, të thuash që kjo pikë nuk është për ngut, duke ditur situatën me pandeminë COVID-19 dhe dëmin që kanë pësuar bizneset, është si të thuash vaksinat për COVID-19, edhe ato mund të presin”, tha Tahiri.

Pas deklarimeve, anëtarët e PDK-së dhe LVV-së lëshuan mbledhjen e Kuvendit Komunal duke pamundësuar votimin e rendit të ditës.

Parku i Binzesit është projekt i Ministrisë së Tregtisë me vlerë 1.3 milionë euro i cili kishte nisur ndërtimin në mars të 2019.

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë kishte krijuar Komisionin për vlerësimin e ofertave për zonë Ekonomike në Lumadh.

Pjesë e këtij komisioni janë: Adnan Lahu, kryesues i Komisionit; Ymer Haradinaj përfaqësues nga LVV, Ilmi Azemi përfaqësues nga PDK, Agim Bregaj nga LDK, Berat Sadiku drejtor i Urbanizimit dhe Isak Hyseni nga shoqëria civile.

Komisioni kishte miratuar aplikacionet e 22 bizneseve nga gjithsej 43 sa kishin aplikuar ndërsa para dy dite ky komision kishte dhënë rekomandimin për vendosjen e bizneseve në Parkun e Biznesit.

Formulari i plotësuar, certifikata e regjistrimit të biznesit, historiati i kompanisë, veprimtaria që do të zhvillojë dhe projekti ideor, kanë qenë kriteret e vendosura për bizneset të cilat kishin aplikuar për të qenë pjesë e Zonës Ekonomike.