Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane nxit bashkëpunimin mes Kosovës dhe shtetit të Iowas

Drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesin e Gardës Kombëtare të Iowas, Gjeneralin e Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr.

Gjatë këtij takimi është vlerësuar se themelimi i zonës ekonomike amerikane paraqet një mundësi të shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe shtetit të Iowas, në aspekt të nxitjes së investimeve nga ndërmarrjet amerikane që kanë selinë kryesore në këtë shtet amerikan, ka njoftuar OEAK përmes një komunikate për media.

Gjenerali Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy Orr në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, siç thuhet në komunikatë, është shprehur i inkurajuar nga bashkëpunimi i deritanishëm mes Kosovës dhe shtetit të Iowas si rezultat i partneritetit shtetëror në mes dy vendeve, duke potencuar se ka ende hapësire të punohet në ndërtimin e urave biznesore mes dy vendeve.

“Gjenerali falënderoi Odën Amerikane për kontributin e saj në forcimin e partneritetit ndërshtetëror. Ai theksoi se delegacioni i Iowa që vizitoi Kosovën gjatë muajit të kaluar ka mbetur i impresionuar me zhvillimet pozitive në Kosovë, gjë që dëshmon se të dyja vendet janë të angazhuara që të ketë përfitime të prekshme nga marrëveshja e partneritetit shtetëror, dhe atë jo vetëm në fushën e bashkëpunimit ushtarak”, thuhet në njoftim.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, njoftoi Gjeneralin Orr për zhvillimet më të fundit në Kosovë në fushën e ekonomisë duke theksuar në veçanti iniciativën për krijimin e zonës ekonomike amerikane, si një mundësi për të nxitur investimet amerikane në vend.

Ai kërkoi bashkëpunimin e gjeneralit Orr që të ndihmojë në njoftimin e kompanive amerikane nga ky shtet për zonën ekonomike amerikane dhe inkurajimin e tyre që të shtrijnë veprimtarinë e tyre në Kosovë. Zeka ritheksoi gatishmërinë e parezervuar të Odës Amerikane që të ndihmojë në forcimin e partneritetit mes dyja vendeve në fushën ekonomike, bëhet e ditur në njoftimin për media të Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë.