Zogiani: Nuk janë ndërprerë punimet në hidrocentrale, këtë po e vlerëson Inspektorati

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, ka thënë se punimet në hidrocentralet në Biti të Shtërpcës nuk janë stopuar.

Sipas numrit dy në MIA, inspektorët nga ky dikaster sot janë në terren dhe do të vlerësojnë nëse do të ndërpriten apo pezullohen punimet në hidrocentrale.

“Unë e kam pa në Facebook që është shpërndarë atje se, janë ndërpre punimet në disa hidrocentrale, por kjo nuk e saktë. Sot është Inspekcioni në terren, Inspekcioni i ujërave dhe i ndërtimit për me e inspektu projektin nëse është duke shkuar sipas parametrave, nën një dhe nën dy, me mbledhur të dhëna në terren me e pa çfarë ose projekti a i mbushë kërkesat me dokumentet paraprake”, tha Zogiani në një bisedë për KALLXO.com.

“Inspekcioni vetë mundet me suspendu punën por ne nuk mundemi me paragjyku çfarë bën Inspekcioni”, nënvizoi ai.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për protestat e banorëve të Bitisë, të cilët janë kundër shkatërrimit të lumenjve në fshatine tyre – LINK

Ai ka folur edhe në përgjithësi për qasjen që pritët të ketë qeveria e re ndaj ndërtimeve të hidrocentraleve.

Ai ka thënë se ekzekutivi të cilit i prinë Albin Kurti, do të sjell një balans ndërmjet biznesit dhe qytetarëve. Sipas tij, pushteti do të jetë urë lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe bizneseve.

“Deri sot,  zyret e pushtetit kanë qenë thjeshtë zyra të bizneseve dhe që kanë implementu interesa të biznesit. Vetëvendosje dhe qeveria në përgjithësi e Kosovës mendon që pushteti duhet të jetë një lloj balansi ndërmjet biznesit dhe qytetarëve, jo me i dhanë gjithçka biznesit e kurrgjë qytetarëve”, ka thënë zv/ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit.

“Është vështirë me fol momentalisht diçka konkretisht, por në princip do të insistojmë që pushteti të jetë një urë lidhëse në mes qytetarit dhe biznesit por jo të përfaqësoj vetëm njërin interes. Deri sot ka përfaqësuar vetëm interesat e bizneseve”, tha në fund ai.

Ditë më parë, nëpërmjet një postimi në Facebook vetë Zogiani paralajmëroi masa dhe veprime ndaj ndërtimeve pa kritere të hidrocentraleve.

Dje gjatë ditës, në disa media qarkulloi lajmi se punimet në hidrocentrale janë ndaluar.

Edhe një organizatë që merret me mbrojtjen dhe promovimin e ambientit ndaj punimeve që po zhvillohen në Biti.

 

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.