Foto: KALLXO.com

Zogiani: Marrëveshjet infrastrukturore e forcojnë Serbinë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani, ka deklaruar se pikat për autostradën, hekurudhën dhe linjën ajrore që lidhin Kosovën me Serbinë, në marrëveshjen 16 pikëshe të nënshkruar në Washington vetëm e forcojnë Serbinë në transportin ndërkombëtar.

“Marrëveshjet infrastrukturore forcojnë jashtëzakonisht rolin e Serbisë në rrjetin ndërkombëtar të transportit. Serbia do jetë vendi ku do kalojnë dy korridore”, ka deklaruar Zogiani.

Në një konferencë për media, Zogiani ka thënë se Kosova po vazhdon të sillet si autoritet joshtetëror.

Zogiani më tej ka thënë se përmes këtyre marrëveshjeve, zhvillimi i Kosovës detyrohet të bëhet përmes Serbisë.

“Qeveria Hoti këto projekte i ka reduktuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, do të thotë se zhvillimi i Kosovës detyrohet nëpërmjet Serbisë. Gjithçka për zhvillimet infrastrukturore shihet përmes prizmit të Serbisë”, ka deklaruar Zogiani në konferencë për shtyp.

Më 4 shtator, në Washington, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje me 16 pika për normalizim ekonomik.