Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Foto: KALLXO.com
Zogaj shpreh shqetësim se anëtarët e KGJK-së për situata të zakonshme kanë pikëpamje të ndryshme
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka folur për funksionimin Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Zogaj në një intervistë për “KallxoPernime” ka thënë se ndihet i shqetësuar sesi për çështje të cilat janë të zakonshme kanë mendime të ndryshme.
“Për situata të zakonshme kur mujmë me thonë në terma praktike ‘e bardha dhe e zeza’, kemi pikëpamje të ndryshme, kjo është shqetësuese, kjo është pasiguri”- tha Zogaj.
Sipa Zogajt, një ndër parimet kryesore që i ka pasur kur ka ardhur në krye të KGJK-së ka qenë transparenca.
Përmes transparencës sipas kryesuesit lehtësisht do të mundësohet që publiku të shoh secilin anëtar se si sillet.
“Motivi personal i anëtarit të Këshillit që quhet Albert Zogaj ka qenë pikërisht ky që publiku me pa secilin se si sillet”- tha Zogaj.
I njëjti tha ndonëse interesimi për përcjelljen e çdo mbledhje të KGJK-së nga publiku është i vogël, diskutimet janë publike përpos atyre për të cilat me rregullore nuk mund të përcillen nga publiku.
“Vendimet janë publike, diskutimet janë publike, Këshilli Gjyqësor si trup nuk mund ta shndërrojë çdo takim në tryezë pune” – tha kryesuesi.
Zogaj ka folur edhe për përbërjen e KGJK-së, më konkretisht për pamundësinë e sigurimit të numrit të plotë të anëtarëve duke e specifikuar si vështirësi për anëtarët që vijnë nga radhët e Kuvendit.
“Në pamundësi që të sigurohet numri i plotë i anëtarëve gjithmonë ka vështirësi për anëtarët që vijnë nga Kuvendi, në shumë raste mund të deformohet ai balancë i natyrshëm që krijohet brenda KGK-së, për vendimet të natyrshme dhe çka i bjen që mund të kemi vendime të panatyrshme nesër dhe kjo përpos që e pengon dinamikën e punës brenda KGJK-së e dëmton besimin e publikut dhe e kthen mbrapa sistemin”- tha Zogaj.
Albert Zogaj është në krye të Këshillit Gjyqësor për të dytin mandat me radhë. Për herë të parë ishte zgjedhur në vitin qershor të vitit 2021 ndërsa për herë të dytë është zgjedhur në korrik të vitit 2024.